Shendet

Varianti “anglez” shumë më ngjitës, transmetohet më lehtë te të rinjtë e fëmijët

Varianti britanik i Covid-19 përhapet më shumë sesa mutacionet e tjera dhe po aq vdekjeprurës sa variantet e tjera të njohura.

Një hulumtimi i ri nga shkencëtarët britanikë ka zbuluar se mutacioni i ri i koronavirusit SARS-CoV-2, i cili u shfaq për herë të parë në Britani dhe u zbulua më vonë në disa vende të tjera, megjithëse transmetohet më lehtë, nuk duket se shkakton probleme më serioze shëndetësore sesa variantet e tjera.

Studimi i bërë nga organizata e shëndetit publik në Angli krahasoi 1,769 njerëz të infektuar me variantin anglez me një numër të barabartë të njerëzve të infektuar me shtama të tjera të koronavirusit. Të dyja grupet, me një moshë mesatare 35 vjeç, kishin ngjashmëri të mëdha për sa i përket moshës, seksit, vendbanimit dhe kohës së ishin infektuar.

Për sa i përket ashpërsisë së infeksionit, i cili u studiua përkatësisht tek 1,340 njerëz të infektuar me të dyja variantet, nuk kishte ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Nga të infektuarit me variantin anglez, 12 persona humbën jetën (0,89%), ndërsa të infektuarit me shtamat e tjera, humbën jetën dhjetë persona(0,73%).

“Rezultatet paraprake të studimit nuk gjetën një ndryshim statistikisht të rëndësishëm në lidhje me vdekshmërinë për një periudhë 28-ditore midis dy grupeve”, thonë studiuesit. Gjithashtu, nuk u gjet asnjë ndryshim i rëndësishëm në lidhje me mundësinë e ri-infektimit me mutacionin e ri.

Nga ana tjetër, shkalla e përhapjes së virusit në kontaktet e ngushta të rasteve të konfirmuara është më e lartë në rastin e atyre që ishin infektuar me mutacionin e ri të koronavirusit duke e bërë variantin anglez më ngjitës.

Hipoteza që varianti anglez përhapet me shpejtë është mbështetur nga fakti që të infektuarve u janë gjetur ngarkesa më të larta të virusit në gjak. Rreth 35% e pacientëve të infektuar nga ky variant kishin nivele të larta të virusit në mostrat e tyre, krahasuar me pacientët e infektuar me shtamat e tjera.

“Duke qënë se pacientët me këtë variant kanë ngarkesa më të larta virale, atëherë është më e lehtë për ta përhapin atë tek njerëzit e tjerë”, tha Kidd.

Shkencëtarët thonë se ky variant është rreth 56% më i transmetueshëm sesa variantet e mëparshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nga ana tjetër beson se varianti britanik i koronavirusit mund të transmetohet më lehtë tek të rinjtë dhe fëmijët.

 “Tani frika, të paktën në Britaninë e Madhe, ku varianti është përhapur shumë shpejt, është se kjo mund të rrezikojë rihapjen e pritshme të shkollave pas pushimeve të Krishtlindjeve. Gjithashtu sepse profesor Mark Harris, një virolog në Universitetin e Leeds, ka shprehur dyshime për këtë”, thotë i dërguari special i organizatës së KB për Covid, David Nabarro.

“Hetimet janë gjithashtu duke u zhvilluar për të përcaktuar nëse varianti anglez i koronavirusit shoqërohet me ndonjë ndryshim në ashpërsinë e simptomave, përgjigjen e antitrupave dhe efikasitetin e vaksinës,” shpjegoi shefi i urgjencës i OBSH-së Michael Ryan në një konferencë për shtyp.

“Edhe nëse virusi është bërë pak më efikas në përhapjen, ai mund të ndalet. Kështu që kjo situatë nuk është jashtë kontrollit në atë kuptim. Por nuk mund të lihet në vetvete”, tha ai.

Ndërkohë, Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) ka lëshuar një raport të ri mbi rrezikun e përhapjes së mutacionit të ri në Evropë. Ndër të tjera, raporti thekson se që nga 28 dhjetori, mutacioni i ri u gjet në 13 vende europiane dhe 11 të tjera jashtë Europës. Jo të gjitha rastet ishin të lidhura me udhëtimin nga Britania, kështu që qarkullimi i vazhdueshëm ndërkombëtar i variantit nuk mund të përjashtohet më. Pritet që më shumë raste me këtë variant  mund të zbulohet në javët e ardhshme.

Shumë studime janë duke u zhvilluar për t’iu përgjigjur pyetjeve deri më tani pa përgjigje në lidhje me variantin e ri, ndërkohë që vendet europiane janë detyruar të bëjnë analiza gjenetike të njerëzve që janë diagnostikuar me koronavirus, në mënyrë që të zbulojnë mutacione të reja në kohë. 

“Edhe pse nuk ka asnjë provë që mutacioni i ri i zbuluar shkakton probleme më serioze, studimet paraprake sugjerojnë se ai mund të jenë më ngjitëse. Ekziston një rrezik i lartë që këto mutacione të reja të përhapen më tej në Europë, duke çuar në më shumë shtrime në spital dhe vdekje, si dhe presion në rritje mbi sistemet shëndetësore”, deklaroi Drejtori i ECDC Mike Catspol.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë