Sapo palët të marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për Qeverinë e Kosovës, do të caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, tha ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.
Palët në këtë rast janë Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës dhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.
Osmani, për dy ditë me radhë, takoi përfaqësuesit e partive politike, të përfaqësuara në kuvend, me të cilët bisedoi për datën e zgjedhjeve.
Partitë kanë përmendur fundin e muajit janar dhe fillimin e shkurtit të vitit 2021, si periudha të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 21 dhjetorit, që tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u zgjodh në mënyrë jokushtetuese.
Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim. Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit./REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




