Kosova

Masa të reja në Kosovë, Hoti: Festat në familje, virusi mund të përhapet masivisht

Kryeministri i Kosovës Avdulla Hoti njoftoi se në prag të festave, vendi është  para një rreziku të përhapjes së infeksionit për shkak të lëvizjeve të mëdha, ndaj edhe propozoi masa të reja. “Të gjithë po e shohim trendin në rritje në BE dhe rajon, ku disa vende janë mbyllur plotësisht. Kjo nënkupton se për disa javë edhe tek ne rastet do të rriten. Prandaj, me propozim të IKSHP-së dhe në konsultim të gjerë, Ministri i Shëndetësisë do të propozojë së shpejti masat shtesë”, tha Hoti. Masat do të ndërmerren në konsultim edhe me komunat, shoqatat e bizneseve, grupet e ndryshme, si dhe partnerët dhe organizatat ndërkombëtare që po na ndihmojnë në menaxhimin e situatës.

Masat në vijim në Kosovë janë:

– Të gjitha institucionet publike të ndalojnë çfarëdo organizimi për fundvit që i bëjnë zakonisht për punonjësit e institucioneve. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të përgatisin urdhëresën për këtë qëllim.

– Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkërendim me komunat, të urdhërojë menjëherë të gjitha shkollat të ndalojnë çfarëdo organizimi apo ekskursioni të nxënësve apo arsimtarëve.

– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është përgjegjëse për ngjarjet sportive e kulturore, të cilat mund të zhvillohen vetëm sipas udhëzimeve të parapara në manualin për mbrojtje nga covid19. Një komision do të funksionojnë brenda ministrisë për miratimin e ngjarjeve të tilla.

– Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, së bashku me AVUK-un, të inspektojë zbatimin e masave me mbështetje të policisë.

– Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes ambasadave tona të njoftojë bashkatdhetarët për masat që janë në fuqi në Kosovë, si dhe kërkesat e vendeve përkatëse kur bashkatdhetarët të kthehen në vendet ku punojnë dhe jetojnë.

– Ministria e Shëndetësisë të mbajë konferencën e rregullt me medie për të informuar qytetarët me gjendjen dhe masat që duhet respektuar, në veçanti masat që do të ndërmerren për fundvit.

“Në anën tjetër, Ministri Zemaj po punon shumë në sigurimin e vaksinës me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilëve u jemi borxhli përgjithmonë për mbështetjen në këtë kohë të vështirë. Unë i ftoj të gjithë qytetarët të kenë kujdes maksimal në javët në vijim, kur virusi mund të përhapet masivisht. Le të përgatitemi për festë në familjet tona. Të evitojmë çfarëdo ngjarje ku ka grumbullim të njerëzve. Të ruajmë nga virusi prindërit tanë, të moshuarit, ata me shëndet të dobët, të sëmurët kronik. Të ndihmojmë mjekët dhe infermierët tanë të mos kenë ngarkesë, në mënyrë që të festojnë edhe ata me familjet e tyre”, deklaroi Hoti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë