Vlora Çitaku është kthyer sërish në Uashington në detyrën e saj si ambasadore e Kosovës në SHBA, pavarësisht se para më shumë se dy muajsh, presidenti Hashim Thaҫi kishte nënshkruar dekretin për tërheqjen e saj nga ky post.
Madje, diplomatja kishte organizuar edhe takimet e lamtumirës në Uashington dhe ishte kthyer në Prishtinë. Por është detyruar të kthehet sërish në Uashington, pasi partnerët e koalicionit qeveritar nuk kanë vendosur ende se kush do ta zëvendësojë.
Ambasadori i parë i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, thotë se në këtë fazë të ndërrimit të administratës amerikane, do të ishte e nevojshme që procesi i emërimit të Ambasadorëve të ishte përmbyllur.
“Bëhet fjalë për postin kyç në diplomacinë e Kosovës dhe është nevojë urgjente që të kemi ambasadorin tonë në Uashington, ku do të kemi një administratë re, pasi ambasadori duhet të vërë kontakte dhe të fillojë punën me këtë administratë”, shprehet ai.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konfirmoi sot se në Uashington është ende në detyrë ambasadorja Çitaku, e cila do ta përfaqësojë Kosovën deri në emërimin e ambasadorit të ri, siç është përcaktuar në dekretin e tërheqjes së saj të nënshkruar nga presidenti.
Bazuar në dekretin e presidentit, ajo mbetet në këtë detyrë derisa të emërohet ambasadori i ri, por në rast se ajo nuk mund ta ushtrojë më këtë post, atëherë duhet të emërohet një ‘i ngarkuar me punë’ (Charge D’Affairs). Sipas të dhënave zyrtare, në Ambasadën e Kosovës në Uashington është vetëm një diplomat.
Jo vetëm Uashingtonit, por edhe ambasadat e Kosoës në Bruksel, Londër e Tokio kanë mbetur pa ambasador pasi Kosova nuk ka emëruar ende ambasadorët e rinj pas skadimit të mandatit të diplomatëve të kaluar.
Në Ministrinë e Jashtme thonë se “janë në përfundim të konsultimeve për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj” dhe se i gjithë procesi po zhvillohet sipas procedurave ligjore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




