Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar sot një komunikim online me komitetin e ekspertëve të Shqipërisë, anëtarë të komitetit të ekspertëve në Turqi dhe ambasadorin turk në Tiranë, për sa i përket situatës së COVID-19.
Kryeministri theksoi se ky takim vjen pas vlerësimeve të situatës të bërë nga ekspertët, gjë që forcon bashkëpunimin mes shteteve.
“Faktikisht, fjala ka ardhur tek shëndeti dhe fatet tona janë të ndërlidhura të gjitha bashkë. Nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që kjo është një luftë që çdo vend nuk mund ta fitojë dot i vetëm. Sa më shumë të komunikojmë, të bashkërendojmë fuqitë dhe duke shkëmbyer eksperiencat të njehsojmë qasjet kundër kësaj lufte duke kursyer aq jetë dhe aq plagë sa mund të kursehen. Jetët e humbura nga ky agresion janë të pashmangshme. Jemi përpjekur të mësojmë nga të tjerët dhe 1 nga vendet që kemi ndjekur me vëmendje dhe kemi pasur komunikim të vazhdueshëm është dhe Turqia. Besoj që garancia e kësaj lufte të përbashkët nuk janë politikanët por janë ekspertët. Komiteti Ekspert i Turqisë ka një meritë e cila falë ekspertizës ishte një prej vendeve më të përgatitura në momentin e shfaqjes të këtij armiku të padukshëm. Nuk ishin të pakta ato vende të mëdha me burime të mëdha financiare që u gjetën në situata të vështira. Turqia ndërmori një sërë masash të distancimit social edhe përpara se OBSH ta klasifikonte koronavirusin si pandemi botërore”, tha Rama.
Një detaj i rëndësishëm që u tha në këtë mbledhje online është se shifrat e të infektuarve dhe vdekjeve në vendin tonë janë në rënie.
Ishte pikërisht Silva Bino, Shefe e Departamentit të Epidemiologjisë në IShP që theksoi se gjatë javës së fundit kemi një qëndrueshmëri shifrash.
“Kemi rritur kapacitetin e testimeve dhe vërejmë një rënie të personave të infektuar,” shpjegoi Bino.
Rama shtoi se në luftën e pandemisë asnjë vend nuk mund ta fitojë vetëm.
“Përkundrazi sa më shumë të komunikojmë, të ndërveprojmë, të bashkërendojmë fuqitë dhe duke shkëmbyer eksperiencat të njehsojmë qasjen ndaj këtij armiku të padukshëm, aq më shumë rritet mundësia e fitimit të kësaj lufte duke kursyer aq jetë dhe aq plagë sa mund të kursehen”, tha kreu i qeverisë.
Duke krahasuar sistemin tonë shëndetësor me Turqinë dhe vendet e tjera, kryeministri theksoi se qëndrueshmëria që ka sistemi ynë ëahtë falë Komitetit të Ekspertëve.
“Shqipëria ishte fillimisht vendi më pak i prekur në rajon, në të gjitha të dhënat që merren në konsideratë në këtë rast. Sot mund të themi se sistemi është i qëndrueshëm. kemi pasur gjatë gjithë kohës Komitet Ekspertësh, që kanë treguar profesionalizmin e duhur, njësoj si në vendet e zhvilluara. Përballja ndaj armikut të padukshëm vazhdon”, deklaroi Rama.
Ndërkaq, edhe ekspertët turk të cilët në profesione ishin kryesisht infeksionistë dhe epidemiolog në vendin e tyre vlerësuan mikpritjen në Shqipëri.
Më tej në këtë komunikim Rama bëri me dije se efektivi i plagosur në protestë, që dy ditë më parë u transportua në Turqi ka dalë me sukses nga operacioni për transplantin e kornesë së syrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



