Shendet

Manastirliu: Testet e shpejta nisin më 20 dhjetor në Tiranë, po punojmë për vaksinën

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar nga Durrësi se testet e shpejta janë shpërndarë në çdo Njësi të Kujdesit Shëndetësor, duke rritur kapacitetet e testimit. Ajo bëri me dije se testimi i shpejtë do të nisë më 20 dhjetorit në disa pikë në Tiranë dhe pastaj në gjithë vendin.

“Jo vetëm kemi mundësuar që testet e shpejta të vijnë në Shqipëri, por edhe të jenë sa më shpejt në funksion në të gjithë territorin. Testi i shpejtë është një alternativë e re që siguron kufizimin e përhapjes së infeksionit dhe një mënyrë shumë më e lehtë për qytetarët për të marrë një përgjigje në një kohë shumë më të shpejtë.

Prej datës 20 dhjetor do të fillojmë testimin e shpejtë të antigenit në qendrat shëndetësore. Pikat e qendrave shëndetësore për qytetin e Tiranës do të jenë 6 si fillim dhe më pas në një shtrirje deri në 10 pika për Tiranën. Edhe në qytetet e tjera janë evidentuar tashmë pikat që do të kryhet testimi shpejtë. Çdo pikë testimi të mbulojë disa qendra shëndetësore, ku mjeku i familjes mund të drejtojë qytetarët në oraret e caktuara sipas sistemit elektronik”, – tha Manastirliu.

Ajo foli edhe për vaksinën antiCOVID: “Jemi duke punuar për ta pasur sa më shpejt vaksinën e sigurt. Punonjësit e sistemit shëndetësor janë të parët që do të kenë mundësinë të vaksinohen, kur ajo të jetë e disponueshme dhe të plotësojë gjithë parametrat e sigurisë”, – u shpreh mes të tjerash Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë