Kosova

Tatimet: Gjatë pandemisë u mbyllën gati 100 biznese

Kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19, ka ndikuar në shëndetin financiar të bizneseve dhe atë ekonomik të Kosovës si të çdo vendi anembanë botës.

Që nga muaji mars kur edhe u konfirmuan zyrtarisht rastet e para me koronavirus në Kosovë, teksa qeveria urdhëroi karantinën e përgjithshme 96 biznese nuk ia dolën.

Lajmin e ka bërë të ditur Agjencia Tatimore e Kosovës.

Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga Qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Ditë më parë Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat është shprehur se shumë prej atyre që edhe humbën punën gjatë pandemisë, ishin pa kontrata të rregullta pune.

“Tani kemi rreth 80 mijë qytetarë deri në fund të vitit kalon shifrën 100000”, u tha nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës.

Të premten që shkoi në Kuvendin e Kosovës u arrit të votohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, me 72 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, projektligj ky që në vete ka disa nene, të cilat e bëjnë të mundshme zbatimin e qeverisë për rimëkëmbje ekonomike. “Përpos 10 përqindëshit nga Trusti i Kursimeve Pensionale, është kapitalizimi i Fondit për garantimin e kredive deri në 100 milionë mbulimi i kamatave për të gjitha bizneset që do të marrin kredi, mundësi që edhe fermat e vogla të marrin kredi”, pati deklaruar ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

Deri më tani, vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 miliardë euro me rreth 690 mijë kontributpagues.

Sipas Trustit, rreth 213 mijë kontributpagues kanë deri në 1,000 euro në llogaritë e tyre, apo 33 për qind e tyre. Po ashtu, deri 5,000 euro kanë 30 për qind e kontributpaguesve, apo rreth 195 mijë qytetarë.

Kjo i bie se vlera e përgjithshme që do të mund të tërhiqej nga Fondi është rreth 200 milionë euro, mjete këto, që sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë konsideruar se do të stimulonin kërkesën agregate në treg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë