Shqipëria synon të lehtësojë procedurat dhe shkurtojë kohën që një shtetasi të huaj i nevojitet për të marrë një leje pune në vendin tonë.
Projektligji i hartuar nga Ministria e Brendshmë është gati. Ministria thotë se në të ka reflektuar mangësitë e gjetura në legjislacionin shqiptar gjatë procesit të verifikimit të legjislacionit në kuadër të kapitullit 24 të negociatave.
Ministria e Brendshme thotë në relacionin shoqërues së projektligji i ri garanton akses në programe dhe shërbime integrimi për të huajt, mundësinë e ofrimit më të mirë të informacionit, procedurave të lehtësuara për t’u pajisur me leje qëndrimi, si dhe forcimin institucional të ofrimit të shërbimeve për migrantët.
Përveç kësaj, në projektligj synohet edhe ndërtimi dhe përmirësimi i shërbimit të mekanizmave që ofrojnë vizat elektronike, nisur nga pamundësia për të mbuluar shumë vende me misione diplomatike, apo poste konsullore.
Në këtë akt futet koncepti i lejeve unike, i parashikuar nga direktivat e Bashkimit Europian. Në kategorinë e lejes unike për punë parashikon 13 kategori që mund ta përfitojnë. Ato jepen për afat 3 mujor, deri në 5-vjeçar.

Projektligji sqaron se në momentin që një punëmarrës punëson një shtetas të huaj, brenda 8 ditëve duhet të njoftojë autoritetet përkatëse shtetërore për këtë. Në këtë moment nisin procedurat e pajisjes se shtetasit të huaj me lejen e qëndrimit për punë.
Në relacion thuhet gjithashtu se projektligji përcakton mundësinë për t’u pajisur me leje qëndrimi edhe për kategoritë e të huajve të cilët kanë hasur vështirësi në të shkuarën, si pensionistët apo personat pa shtetësi.
Ministria e Brendshme thotë se ligji aktual për të huajt nuk përcakton qartë detyrimin e autoriteteve përgjegjëse, që gjatë vendimmarrjes në lidhje me të huajt të zbatojnë dispozitat në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara nga Kushtetuta dhe Konventat ndërkombëtare të ratifikuara.
Sipas relacionit, hendeku kryesor i identifikuar në ligjin aktual për të huajt është fakti se nuk parashikon lëshimin e një “leje të vetme”, në përputhje me Direktivën 2011/98/BE e Parlamentit Europian dhe e Këshillit, datë 13 dhjetor 2011, “Për procedurën e vetme të aplikimit për një leje të vetme për shtetasit e vendeve të treta për të punuar dhe qëndruar në territorin e një shteti anëtar dhe për një grup të përbashkët të drejtash për punëtorët e vendeve të treta që qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në një shtet anëtar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje