Kosova

Studimi i BE: Si e rrëzoi Albin Kurtin administrata Trump

Një studim mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në Parlamentin Europian (PE) duket se mbështetet deklaratat e Albin Kurti se qeveria e tij u rrëzua si paojë e ndërhyrjes amerikane nëpërmjet një operacioni të udhëhequr nga i dërguari i presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell.

Sipas këtij studimi, Kosova është ndër rastet e rralla ku dezinformomi ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit. “Vetë koalicioni ishte jetëshkurtër dhe u rrezua nga një operacion dezinformimi amerikan, në bashkëpunim edhe me kundërshtarët politikë të Kurtit”, thuhet në studimin e publikuar, i cili u bë nga disa autorë europianë të Komitetit të Politikës së Jashtme të PE-së (AFET).

Dokumenti shpjegon angazhimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe emërimin e të dërguarit të tij të posaçëm për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.

“I frustruar nga ajo që ai e pa si pengesë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Grenell si duket bëri të mundur që senatori David Perude dhe djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr. të bënin një deklaratë në Twitter që sugjeronte se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova. Ambasadori Grenell vazhdoi ta mbante këtë kërcënim, i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan, në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti.

Kjo lëvizje është dënuar gjerësisht në Evropë përmes një qendrimi të përbashkët të ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë.” Ky shembull tregon se si një aktor i huaj ishte në gjendje të prodhonte një kërcënim krejtësisht të trilluar dhe në këtë mënyrë të shtynte drejt ndryshimit të qeverisë”, thuhet në studim.

Më 20 prill, teksa ishte kryeministër në detyrë, Albin Kurti, gjatë një konference online për mediat ndërkombëtare deklaroi se mocionin e mosbesimit LDK-ja e kishte bërë në koordinim me Grenellin, duke argumentuar se qeveria e tij u rrëzua vetëm sepse Administrata Trump donte të nënshkruante një marrëveshje të nxitur me Serbinë”.

Sipas pretendimeve në këtë dokument, si mediat ashtu edhe politikanët u përfshin në këtë fushatë, të cilën studimi i identifikon si “kanale kryesore të dezinformimit në Kosovë”. Në dokument përmenden media të caktuara me ndikim në Kosovë, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe (tani ish) kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. “Mesazhet në rrjetet sociale që vinin nga Mustafa dhe Veseli, posaçërisht kanë nxitur mashtrimin e përhapur nga Grenell”, thuhet në dokument.

Autorët e studimit pretendojnë se çështja e Kosovës ilustron më së miri kompleksitetin e fenomenit lajmeve të rreme dhe se ky është një rast i rrallë ku keqinformimi con drejt rrëzimit të një qeverie.

Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës me 82 vota rrëzoi Qeverinë Kurti pas mocionit të ngritur nga partnerja e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK-ja argumentoi se mocioni erdhi për shkak të pozicionimit “jokonstruktiv” të Kurtit karshi partnerëve, në veçanti SHBA-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë