Ekonomi

FMN, qeverisë: Ekonomia shqiptare në rrezik, planifikoni fonde rezervë

Kujdes PPP-të, jo amnistisë fiskale

Megjithëse FMN parashikon që tkurrje të ekonomisë prej 5% në 2020 dhe rritje prej 8% në 2021, ngre alarmin për përkeqësimin e ekonomisë me rritjen e rasteve të reja me COVID duke i bërë thirrje qeverisë që të tregohet më e kujdesshme me menaxhimin e financave, në mënyrë që të ketë rezerva të përshtatshme, nëse ekonomia do të përkeqësohet në të ardhmen e afërt.

Këtë deklaratë FMN e ka bërë përmes raportit më të fundit të publikuar këtë mbrëmje (të hënën).

Kujtojmë se të gjitha planifikimet e qeverisë shqiptare dhe të BSH-së janë bërë mbi parashikimet e skenarit më optimist duke e konsideruar pandeminë të përfunduar.

Madje pak kohë më parë, ministrja e fianancave Denaj do të thoshte në kuvend se “nëse do të kishim parasysh skenarin negativ, do të ishte dramatike për ekonominë shqiptare”.

Në raport Fondi vlerëson se ka pasiguri të konsiderueshme dhe rreziqe të shtuara që mund të ndikojnë në rimëkëmbjen e parashikuar për 2021-22. Në këtë kontekst, stafi i FMN-së sugjeron rëndësinë e planifikimit të fondeve rezervë për ngjarje të paparashikuara dhe rekomandojnë që autoritetet të jenë të gatshme të marrin masa të mëtejshme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në analziën e deritanishme të ekonomisë shqiptare nga raporti më i fundit në muajin tetor, ka kërkuar po ashtu një kontroll të masave të emergjencës dhe fondeve të rindërtimit sipas procedurave të menaxhimit të financave publike.

“Drejtorët e Bordit Ekzekutiv u kërkuan autoriteteve të përfshijnë sa më shpejt në procedurat e kontrollit normal të menaxhimit të fondeve publike (PFM) masat e jashtëzakonshme që janë marrë gjatë emergjencës. Po ashtu fondi kërkoi që një kontroll i përshtatshëm i FPM të ushtrohet dhe për fondet e rindërtimit”, citohet në njoftimin e Fondit.

Ai paralajmëroi se situata ekonomike mund të përkeqësohet, në një kohë kur infeksionet e reja janë rritur ndjeshëm.

Sipas Fondit, një pandemi më e rëndë do të përkeqësonte parashikimin ekonomik të Shqipërisë përmes një turizmi më të dobët, remitancave, kërkesës së jashtme, Investimeve të Huaja Direkte si dhe do të sillte kushte më të shtrënguara financimi.

FMN rithekson borxhin e lartë të Shqipërisë, kërkesat e larta për financime dhe kreditë me probleme si një sfidë duke sugjeruar edhe një herë këshillën për të mos zbatuar amnistinë fiskale. Fondi ka rekomanduar gjithashtu shmangien e ndryshimeve të shpeshta fiskale.

Në njoftimin e FMN për raportin e fundit ripërsëritet për të disatën herë investimi përmes PPP-ve.

“Drejtorët gjithashtu theksuan nevojën për të menaxhuar rreziqet fiskale në rritje, duke përfshirë partneritetet publike-private dhe garancitë e fundit të qeverisë. Ata nënvizuan nevojën për të parandaluar borxhet e reja dhe përpjekjet e vazhdueshme për të forcuar kornizën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.”- citohet në njoftim.

FMN gjykon se mbështetja për ekonominë duhet të vazhdojë në 2021, por duhet të jetë e përkohshme dhe e synuar, subjekt i transparencës dhe llogaridhënies..

“Adresimi i dobësive strukturore në financat publike mund të mbështesë më mirë investimet në kapital njerëzor dhe fizik. Një strategji e shëndoshë e të ardhurave afatmesme duhet të miratohet dhe zbatohet pa vonesa të mëtejshme.”.

FMN nënvizon gjithashtu nevojën për të ruajtur stabilitetin financiar ndërsa mbështeten huamarrësit e goditur nga kriza. Ata rekomanduan që mbikëqyrësit të monitorojnë nga afër dhe të menaxhojnë me kujdes rreziqet, përfshirë udhëzimet për ristrukturimin e portofoleve të kredisë së bankave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë