Bashkimi Europian përsërit edhe njëherë rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën, por edhe këtë herë pa një propozim, apo datë konkrete.
“Radio Europa e Lirë” citon draft-konkluzionet, ku përsëritet se “Këshilli kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet se “propozimi është duke u shqyrtuar në Këshill” dhe rikujtohet se Komisioni Europian kishte propozuar qysh në vitin 2018 që Kosovës t’i hiqen vizat.
Draft është përgatitur dhe teksti është në proces të miratimit nga përfaqësuesit e shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë draft, Kosova ftohet që të përmirësojë urgjentisht përpjekjet për përmirësimin e sundimit të ligjit, të shtojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe reformave të administratës publike.
Nga Kosova kërkohet edhe vazhdim i përkushtimit ndaj Dhomave të Specializuara, në përputhje të plotë me obligimet ndërkombëtare të saj, ligjet vendore dhe si një rrugë për të dëshmuar përpjekje të sinqerta për sundimin e ligjit, liritë themelore, drejtësi dhe pajtim. Po aty, përshëndetet bashkëpunimi i autoriteteve të Kosovës me Gjykatën Speciale dhe gatishmëria e të akuzuarve për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tyre.
Si në pjesën kushtuar Kosovës ashtu edhe atë për Serbinë, Këshilli i bllokut europian, përmes këtyre draft-konkluzioneve kërkon që të vazhdojnë angazhimin në dialog me vullnet të mirë dhe në frymën e bashkëpunimit dhe kompromisit në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e BE-së.
“Këshilli rikujton se progresi në normalizimin e raporteve me Serbinë është një parim themelor i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe është bazë për zhvillimin e raporteve dhe bashkëpunimit mes BE-së dhe Kosovës”, thuhet në këtë dokument.
Nga të gjitha shtetet e Ballkanit kërkohet që të përshtatin qëndrimet e tyre me BE-në në çështjet e politikës së jashtme, sidomos për masat restriktive që BE-ja miraton për shtetet e treta, duke iu referuar këtu sanksioneve ndaj Rusisë.
Ndonëse në këtë dokument përmendet edhe pritja që “sa më parë” të nisin negociatat e anëtarësimit mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë, nuk përmendet ndonjë datë se kur mund të ndodhë kjo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




