Pas 20 vitesh, Lidhja Demokratike e Kosovës i dorëzoi sot ish-partnerit të saj në qeveri, Vetëvendosjes, bastionin e saj më të madh: Podujevën.
Partia e kryeministrit Avdulla Hoti dhe Isa Mustafës ishte e bindur për fitoren, por është duke u përballur sot me humbjen më të madhe ndër vite duke marrë edhe një sinjal negativ për atë që e pret në zgjedhjet e ardhshme lokale në fund të 2021-it..
Dorëheqja e Agim Veliut nga posti i kryetarit të Podujevës, rrëzimi i Qeverisë Kurti, pandemia, debatet e fundit për të pagjeturit ku u përfshi edhe deputetja Saranda Bogujevci, duket se kanë bërë që LDK, si partia kryesore e koalicionit qeveritar të mos konsolidojë pushtetin.
Përkundrazi, fitorja e Kurtit në bastionin e saj më të sigurt pas rrëzimit nga qeveria, ishte një “shuplakë” e fortë nga votuesit dhe një rikthim i fuqishëm i VV-së në skenën politike.

Sipas Kurtit, i cili fitoi me kandidatin e tij Shpejtim Bullicin kjo nuk është zgjedhje, kjo është referendum. Lëvizja Vetëvendosje, e cila përfaqësohet në Podujevë nga deputetë si Saranda Bogujevci, ka thelluar ndër vite rrënjët në një nga bastionet e padiskutueshme të LDK-së.
Edhe pse LDK po mundohet t’ia faturojë humbjen kandidatit të saj në Podujevë, Nexhmi Rudarit, ekspertët në Kosovë po e cilësojnë rezultatin e zgjedhjeve si dështimin e vetë partisë.
Kryetari shumë vjeçar i Podujevës dhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, doli vetë për të njoftuar elektoratin se partia humbi zgjedhjet në vendlindjen e tij.
Njëkohësisht më të, Albin Kurti, mbajti një fjalim në Llap ku tha se fitorja e VV-së nuk është thjesht zgjedhje, por është referendum.
“Jo vetëm sonte, por edhe në të ardhmen në Kosovë do të ketë një valë referendumesh sepse populli është zotuar për Vetëvendosjen”, la thënë Kurti.
Fushata zgjedhore në Llap është parë më shumë garë mes Albin Kurtit e Agim Veliut, sesa e dy kandidatëve sepse dy politikanët e kishin nisur luftën në Qeveri, kur Kurti ishte kryeministër, e Veliu u bë ministër i Punëve të Brendshme. Kurti e shkarkoi nga posti, duke çuar në rrëzimin e tij nga pushteti.
Por Kurti duket se pati të dielën hakmarrjen politike, duke i marrë Veliut dhe LDK-së një nga bastionet e fundit të saj.

Podujeva shkoi në zgjedhjet e parakohshme pasi Veliu la detyrën për t’u bërë pjesë e qeverisë së re të udhëhequr nga LDK-ja pas rrëzimit të Kurtit në muajin shkurt të këtij viti.
Duke komentuar humbjen e partisë së tij, Mustafa tha se rezultati është i papritur dhe se LDK kishte nevojë të rimendonte qasjen e saj, sidomos ndaj kërkesave dhe nevojave të të rinjve.
“Është një rezultat i papritur, por vota e sovranit meriton te respektohet. Në një gjendje krize, qoftë shëndetësore, sociale apo ekonomike, njerëzit janë të prirur t’i kërkojnë zgjidhjet përmes ndryshimeve. Sikurse, është dëshmuar se ndryshimet shpesh nuk sjellin rezultate”, tha ai. “LDK-ja ka nevojë të rimendojë qasjen e vet, sidomos ndaj kërkesave dhe nevojave të të rinjve, ka potenciale shumë më të mëdha Vetëvendosje, prandaj mund të ofrojë zgjidhje për ta rikthyer Podujevën që në tetorin e vitit të ardhshëm”, shtoi Mustafa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




