Sociale

Vetëhidhet tjetër pacient te “Shefqet Ndroqi”. Reagon Spitali: Po vijon hetimi

Një tjetër pacient i prekur nga Covid-19 është vetëhedhur nga spitali Shefqet Ndroqi.

60 vjeçari me iniciale L.S ka ndërruar jetë pas aktit të vetëvrasjes në orën 00:30.
Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” në një njoftim ka treguar se pacienti ishte nga Kurbini  dhe ishte shtruar në spital pasditen e 28 nëntorit.
Në njoftim thuhet se pacientit janë kryer ekzaminimet imazherike dhe është trajtuar me terapinë e plotë të mjekimit në pavionin e urgjencës.
“Më datë 29 pacienti është transferuar në pavionin e katit të parë (mbi katin përdhes) ku edhe ka kryer aktin e rëndë. Lidhur me arsyet që e çuan 60-vjeçarin drejt këtij akti ekstrem, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente. Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” ka siguruar shërbimin e psikologut dhe ka shtuar masat e sigurisë,” thuhet më tej në njoftim.
Ky është rasti i pestë, që pacientët e prekur nga Covid-19 i japin fund jetës.
Katër pacientë ishin në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe një pacient në Spitalin Infektiv në QSUT.

Rasti i parë ndodhi më 13 gusht, kur një i ri në gjendje të rënduar psikologjike u hodh nga ky spital dhe fatkeqësisht ndërroi jetë. 29-vjeçari Xhino Koça ishte shtruar pasi ishte infektuar me koronavirus. Rasti i dytë ishte pacienti 65-vjeç me emrin Hasan Mira, i cili u hodh në datën 2 shtator. Ndërsa, personi i tretë ishte 52-vjeçari Preng Gjonaj, që  ishte një jave i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Gjithashtu, edhe pacienti  me iniciale R.G,  69-vjeç i infektuar me COVID-19 u hodh nga kati i dytëi spitalit Infektiv në Tiranë me datë 10 nëntor. Fillimisht ai pati fraktura të rënda në kokë, por mjekët nuk ja dolën ta shpëtonin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë