Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim virtual me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron ku mësohet se kanë biseduar për situatën e krijuar pas ngritjes së aktakuzave të para nga Dhomat e Specializuara të Kosovës si dhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Hoti njoftoi se presidenti Macron, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit dhe pritet të vizitojë Kosovën gjatë muajve të ardhshëm.
Në njoftimin e kryeministrit Hoti, thuhet se Macron ka vlerësuar reagimin institucional dhe të qytetarëve të Kosovës pas arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Më pas duke u ndalur tek procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, Hoti dhe Presidenti Macron duket se kanë arritur një marrëveshje që të zhvillohen takime në nivel të ekspertësh dhe ministrash të brendshëm të të dyja vendeve”.
“Hoti dhe Macron biseduan edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohe reciproke, në kufijtë aktualë. Ata pajtuan që të organizohet edhe një takim i nivelit të lartë rreth ecurisë së procesit të dialogut”, tha zyra e kryeministrit të Kosovës në një deklaratë.
Franca është për momentin vendi i vetëm i BE-së që po bllokon edhe heqjen e vizave më Kosovën Sipas deklaratave të fundit, Franca beson se Kosova nuk i ka plotësuar ende kushtet e nevojshme për liberalizimin e vizave.
Ministria franceze për Punët e Jashtme ka konfirmuar para disa muajsh në një deklaratë se qeveria e presidentit Macron nuk është e bindur për heqje e vizave me Kosovën.
“Franca, së bashku me disa shtete të tjera anëtare, beson se në këtë fazë jo të gjitha kushtet janë përmbushur. Në fushën e sundimit të ligjit, është bërë përparim por ai nuk është i mjaftueshëm për të ndaluar korrupsionin. Prandaj vazhdimi i reformave është i domosdoshëm për të parë ndryshime të prekshme në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Ligjet e miratuara së fundmi duhet të zbatohen shpejtë dhe të qëndrueshëm”, theskonte Ministria e Jashtme franceze.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




