Sociale

Manastirliu: Incidenca e infektimeve, më e ulëta në rajon! 20% e shtretërve e lirë. Rimbursimi i barnave nis që sot

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, shpjegoi se si ka vijuar  situata e pandemisë së Covid-19 në vendin tonë, duke paraqitur një panoramë të situatës me anë të të dhënave të paraqitura deri më tani.

Sipas Ministres, janë 29 837 raste me koronavirus në vend, ndërsa incidenca është 1042 raste për 100 mijë banorë.

“Aktualisht kemi të konfirmuara me diagnozën COVID-19, 29 837 raste në total, duke prodhuar një incidencë prej 1042 rastesh për 100 mijë banorë. Duke e krahasuar me rajonin dhe mesataren e Europës është më e ulët. Shtimi i rasteve të konfirmuara ka shkaktuar një rritje të mesataresh javore, prej 429 raste në javën e 45 të pandemisë prej mbi 500 raste në javën e 46. 52% e rasteve janë femra, 48% janë meshkuj. Rritje e lehtë e rasteve aktive, në 526 raste për 100 mijë banorë. për fatalitetet, aktualisht kemi 646 humbje jete. Mortaliteti më i ulët se mesatarja e vendeve të rajonit. Java e 46 me një numër më të lartë fatalitetesh. Situata në spitale, në të 3 strukturat e dedikuara për rastet COVID, aktualisht kemi të zëna 420 shtretër. 15-20% shtretër të lirë,” ka përcktuar Manastirliu.

Më tej Ministrja theksoi se vendimi i ri për rimbursimin e shpenzimeve është një paketë universale që përfitojnë të gjithë të prekurit me COVID-19. Manastirliu theksoi se rimbursimi do të bëhet dhe për format e lehta dhe ato të mesme, ndërsa shtoi se zbatimi i kësaj pakete ka nisur që prej ditës së sotme.

 “Buxheti për shëndetësinë është rritur me 23 % krahasuar me një vit më parë për të mbështetur këtë pandemie. Fondi i sigurimit të detyrueshëm është institucioni që do të administrojë këtë skemë nga pikëpamja në terren. Zbatimi i këtij vendimi ka nisur që ditën e sotme. Mjeku i familjes ka një rol në këtë proces,” tha Manastirliu.

Ndërsa Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino është shprehur se është tepër e rëndësishme që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të kuptohet  se vetëm një pakujdesi e vogël mund të jetë fatale për dikë me probleme shëndetësore.

“Masat e fundit nuk kanë intensitetin e bllokimit të madh. Janë masa me një intensitet mesatar. E rëndësishme mbajtja e maskës. Pavarësisht vendimeve që marrim, pavarësisht strukturave që i kontrollojnë e rëndësishme është që ne të kuptojmë realitetin e ri, ajo që ndodh rreth nesh. Të gjitha masat për parandalimin e COVID-19 nuk janë një shkencë e madhe, janë ato që ne kemi në dorë për momentin. Duhet të ndërgjegjësohemi. Impaktin e masave të fundit nuk mund ta shohim menjëherë. Sëmundja ka një periudhë inkubacioni që shkon deri në dy javë. Jemi duke e monitoruar. E rëndësishme që së bashku me masa të tjera do donim të kishin impaktin e tyre në sheshimin e kurbës për momentin dhe më pas në uljen e saj,” u shpreh  Bino.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë