Kosova

BE: Kosova dhe Serbia të mos i zhvendosin ambasadat në Jerusalem

Bashkimi Europian ka ashpërsuar sot tonet duke i kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mos i zhvendosin ambasadat e tyre në Jerusalem, edhe pse ky vendimi u mor gjatë nënshkrimit të marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë një samti në Shtëpinë e Bardhë. Kërkesa, e cila është një goditje e rëndë për presidentin Donald Trump, ka ardhur nga shefi i diplomacisë së BE-së dhe nënkryetari i Komisionit Europian, Josep Borrell.

Borrell deklaroi sot se pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë në përputhje me angazhimin e BE-së dhe në përputhje me aspiratat e tyre europian.

“Në përputhje me Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1980, e cila u bën thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së të transferojnë ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së, si dhe Delegacioni i BE-së në Izrael, janë të vendosura në Tel Aviv”, është shprehur Borrell u kujtuar Kosovës dhe Serbisë se integrimi në BE ishte aspirata e tyre strategjike.

“BE pret që të dy vendet do të veprojnë në përputhje me këtë angazhim”, tha kreu i diplomacisë së BE-së.

Kërkesa e BE-së vjen ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë se pas fitores së Joe Biden, marrëveshja e 4 shtatorit në mes të Serbisë dhe Kosovës e nënshkruar në Uashington do t’i mbetet historisë. Eksperti gjerman dhe njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber thotë se pikat e marrëveshjes që është nënshkruar nën ndërmjetësimin e Trump do të mbijetojë vetëm vendosja e raporteve mes Kosovës dhe Izraelit.

Sipas tij, as Beogradi e as Serbia nuk do t’i dërgojnë ambasadat në Jerusalem, sepse kjo lëvizje kundërshtohet ashpër nga Brukseli zyrtar. Analisti gjerman thotë se ardhja e Joe Biden në krye të shtetit më të fuqishëm në botë nënkupton bashkëpunim të ngushtë me Brukselin e Berlinin dhe fundin e ndërhyrjes së deritanishme nga Richard Grenell në procesin e negociatave Kosovë-Serbi.

“Unë pres që SHBA-ja dhe BE-ja të bëhen bashkë dhe Biden dhe Kancelarja Merkel, të ndërmarrin një nismë për të rifilluar negociatat e vërteta për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, pas tre vjetësh. Kjo nënkupton që të riafirmohen parimet (e drejtpërdrejta dhe të nënkuptuara) të kornizës origjinale të dialogut, që koha e ndryshimit të kufijve në Ballkan ka kaluar shumë kohë më parë dhe se Serbia duhet të kuptojë se Kosova nuk do t’i kthehet kurrë”, thotë Weber.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë