Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballen sot për herë të dytë me akuzat për krime lufte në Hagë, ndërkohë që Dhomat e Specializuara hapën një dosje 43 mijë faqëshe të provave që pretendojnë se kanë mbledhur kundër tyre.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Vetëvendosje, Rexhep Selimi po mbahen prej dy javësh në dhomat e paraburgimit.
Pala mbrojtëse e ish-presidentit Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Veseli, ka kërkuar sot lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte.
Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, David Hooper ka deklaruar po ashtu se do të kërkojë lirimin me kusht të klientit të tij. Ai kërkoi ndarjen e të akuzuarve dhe tha se nuk do e pranojë burgosjen e Thaçit. “Nuk e pranojmë për asnjë moment kriteret për burgosjen e z. Thaçi, kështu që në këto rrethana është synimi ynë që të aplikojmë për lirimin e tij me kusht… Çështja e parë është që ne duhet të kemi nxjerrje të plotë të kërkesës për urdhërarresti. Në këtë kërkesë ka disa redaktime të çuditshme… Nuk e di çfarë qëllimi kanë redaktimet e shumta aty”, ka thënë Hooper.
Por gjykatësi tha se seanca për kjo kërkesë do të merret parasysh në muajin dhjetor.
“Nga mesi i dhjetorit mund të bëjmë një seancë të tillë, nuk mund të paragjykoj mbajtjen e seancës për liri me kusht…Nga mesi i dhjetorit është e arsyeshme dhe e përshtatshme, përveç aplikimit që do të bëhet për lirim të përkohshëm”, u tha në konferencë.
Avokatët e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, kanë kërkuar po ashtu që gjykimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nisë jo më herët se në verën e vitit 2022.
Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, dhe ai i ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ben Emmerson, gjatë konferencës pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, thanë se ju duhen të paktën 18 muaj që të kryejnë hetime, në mënyrë që të përgatisin mbrojtjen.
Emmerson tha se mendon se gjykimi mund të zgjasë deri në dy vjet.
Avokati i Thaçit, David Hooper e quajti “absurde” pretendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që gjykimi të nisë në qershor të vitit 2021. Ai tha se mbrojtjes i duhet që të ketë qasje në një aktakuzë që ka shkallë më të vogël të redaktimit dhe “materiali duhet të jetë i hapur për mbrojtjen”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se brenda javës, palës mbrojtëse do t’iu dorëzohen mbi 1,000 materiale shtesë, duke shtuar se mbrojtja ka materiale të mjaftueshme që të nisë hetimet. Ajo theskson është mbeshtetur te 153 dëshmitarë.
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, Prokurori i Specializuar duhet të njoftojë mbrojtjen për çdo material dhe provë që ka në zotërim, si deklarata, dokumete apo fotografi.brenda 30 ditësh, që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë.
Një prokurore e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka thënë se aktualisht po hetohen një sërë materialesh të konfiskuara gjatë bastisjeve në shtëpitë e ish-krerëve të UÇK-së.
Mbrojtja tha se nxjerrja e materialeve duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, por gjykatësi propozoi që Prokurorisë t’i jepet dy javë shtesë që të nisë me dorëzimin e materialeve te pala mbrojtëse.
“Një pjesë e materialeve që u morën gjatë kontrolleve të shtëpisë të të akuzuarve do të duhen të hetohen dhe mund të çojnë ndoshta hapa tjerë hetimor.”, ka thënë prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ndërkohë ka kritikuar Gjykatën Speciale edhe për deklaratat e Prokurores së Speciales që mbrojtja i ka ditur më parë akuzat që rëndojnë mbi klientët e tyre.
“Natyra e hetimeve që duhet të bëhen nga mbrojtja janë mjaft të mëdha. Aktakuza ë Prokurorisë është e ndërtuar në mënyrë të dyshimte, sepse janë përmendur shumë zona të Kosovës, shumë emra njerëzish dhe persona të ndryshëm që pretendojnë që kanë qenë pjesë e UÇK-së kanë sajuar këto akuza.
Emmerson ka hedhur dyshime edhe për vërtetësinë e provave që janë paraqitur nga dëshmitarët në këtë Gjykatë.
“Ka zëra se mund të ketë prova false që janë paraqitur në Prokurori edhe pse hetuesit vetë nuk mund ta dinë. Duhet të bëhet një hulumtim i atyre provave”, ka thënë ndër të tjera Emmerson.
Konferenca mbi ecurinë e çështjes ka për qëllim shkëmbimin e argumenteve midis palëve. Në këtë konferencë pritet që prokuroria të tregojë se çfarë provash disponon.
Sipas Prokurorit të Specializuar, gjykata pretendon se për konfirmimin e aktakuzës ka disponuar me material prej rreth 43 mijë faqe, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizual.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




