Kosova

Kosova rrit kapacitetet e shtretërve, respiratorëve dhe oksigjenit

Kryeministri Avdullah Hoti njoftoi sot se Kosova është mobilizuar duke ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për tu përballur me rritjen e rasteve të koronavirusin dhe egërsimin e pandemisë përgjatë javëve të ardhshme.

Hoti, shprehet se ka riorganizuar spitalet, duke rritur kapacitetet me shtretër, ato të furnizimit me oksigjen të lëngshëm si dhe shtimi i 101 shtretërve shtesë në një sallë sportive në Prishtinë.

“Po ashtu kemi rritur kapacitetet për respiratorë duke shfrytëzuar hapësirat e Klinikës Endokrine që afërsi të Mjekimit Intensiv Qendror”, shkruante Hoti në një postim në rrjetet socile.

Hoti po ashtu bëri me dije se testimet janë rritur dhe se ashtu si në Shqipëri janë realizuar mbi 2,000 testime në ditë.

“Në QKUK në Prishtinë dhe në spitale rajonale është ngritur në nivelin më të lartë mobilizimi i stafit shëndetësor”, njofton sot Hoti. Është organizuar orari i stafit shëndetësor në përputhje me numrin e pacientëve që mund të paraqiten në spitale dhe nanë bërë planet operacionale të Klinikave në QKUK për të ofruar shërbime emergjente sipas prioriteteve”.

Ndër hapat që Kosova ka marrë për frenimin e pandemisë sipas kryeministrit Hoti janë:

  • Po mbikëqyren vazhdimisht shkollat duke testuar nxënësit dhe arsimtarët dhe duke marrë vendimet e nevojshme për secilin rast,
  • Po mbikëqyren kontaktet me ekipet në terren,
  • Po përgatitet analiza ditore e gjendjes në terren që ndihmon institucionet shëndetësore të marrin veprimet e nevojshme.
  • Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me ministritë dhe institucionet e tjera të përfshira në menaxhimin e situatës me COVID-19:
  • a) Është duke mbështetur dhe koordinuar punën e të gjitha institucioneve shëndetësore,
  • b) Po koordinon punën me partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen që po e marrim me donacione dhe me këshilla,
  • c) Po punon në sigurimin e vaksinës krahas vendeve të BE-së,
  • d) Po koordinon veprimet me shtabet e komunave në veçanti në fushën e arsimit,
  • e) Ka bërë kategorizimin e komunave sipas numrit të të infektuarve dhe ka përcaktuar masat përkatëse,
  • f) Po koordinon ndërmarrjen e masave me grupet e interesit, si me oda ekonomike, me shoqata të ndryshme dhe grupe të tjera për të marrë vlerësimet e tyre për masat dhe për të kërkuar respektimin e tyre.
  • g) Inspektoratet dhe policia po punojnë ngushtë me komuna dhe institucione të tjera për të mbikëqyrë zbatimin e masave, duke punuar me orar të zgjatur.
  • h) Është ndarë buxhet shtesë për shëndetësi, për arsim dhe për komuna për tu përballur me gjendjen nga COVID-19.
  • Komunat kanë krijuar tanimë një sistem që funksionon plotësisht në mbikëqyrje të rasteve me COVID-19 në konsultim me institucionet qëndrore, janë funksionalizuar shtabet emergjente lokale, janë rritur kapacitetet e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në bashkërendim të aktiviteteve me nivelin qendror etj.
  • Shteti i Kosovës do tu ndihmojë në tejkalimin e situates duke ndihmuar bizneset, punëtorët dhe familjet në asistentë sociale dhe të tjerët përmes fondit për rimëkëmbje ekonomike prej 365 milionë euro.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë