Kosova

Deklarata e Vuçiç për Kosovën, BE për Gazeta “Si”: Aktorët politikë t’i shërbejnë stabilitetit

Bashkimi Evropian nuk ka pranuar të komentojë deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tërthorazi tha të enjten se në Kosovë mund të ndodhë një konflikt i llojit të Nagorno Karabakut nëse përpjekjet për kompromis dështojnë.

“Si parim i përgjithshëm, ne gjithmonë i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi, dhe pjesën tjetër të rajonit, që të promovojnë atmosferë e cila do të ndihmonte stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin”, tha për gazeta ‘Si”, zëdhënësi për Çështje të Jashtme i BE-së, Peter Stano.

Të enjten, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç adresoi tërthorazi në drejtim të Prishtinës kërcënimin e një konflikti të armatosur, duke sjellë si shembull luftën mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorno-Karabakh.

“Është e rëndësishme të them se konflikti në Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment. Ne nuk duhet t’u lëmë pas fëmijëve tanë një konflikt të ngrirë”, deklaroi ai.

Vuçiç paralajmëroi se situata me Kosovën nuk do të jetë e lehtë në muajt në vazhdim. Ndërkohë, paralelja e hequr nga Vuçiç mes Kosovës dhe Nagorno-Karbakh është qortuar në Tiranë.

Pandeli Majko, që gjatë krizës së refugjatëve ishte Kryeministër i Shqipërisë e cilësoi si papërgjegjshmëri.

Majko tha se rreziku real i rajonit është vetëm Serbia dhe këto deklarata të Vuçiç bien ndesh me zotimet e firmosura prej tij në Shtëpinë e Bardhë dhe me ambicien për integrimin europian.

Komentet e Vuçiqit, që i bëri pas një takimi në Beograd me ambasadorët e vendeve të Kuintit, nxitën reagime në Kosovë. Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kërkuan reagimin e BE-së dhe NATO-s, pas deklaratave të Vuçiq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë