Edhe pse do të ishte një parandaluese e mirë për të mos mbivendosur infeksionet me Covid-19, vaksina anti-grip nuk gjendet aq lehtë në treg. Disa farmaci nuk kanë, ndërsa tek disa të tjera mund të porositësh disa ditë më parë.
Gazeta “Si” pyeti në farmacitë e qytetit të Tiranës dhe disa prej tyre konfirmuan se “qytetarët që kërkojnë vaksinën duhet ta porosisin fillimisht dhe më pas ta marrin me koston 1600 lekë”. Tre farmaci përgjatë Rrugës “Bulevardi Zogu i parë” dhe “Rruga e Durrësit” shpjeguan që momentalisht vaksinat po i shpërndan vetëm “IMI Farma”.
“Vaksinat anti-grip janë pak në treg dhe sa herë që vijnë shiten shumë shpejt,” –thonë farmacistët.
Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, shpjegoi për Gazetën “Si” se në tregun e hapur farmaceutik deri më tani janë importuar rreth 34.500 mijë vaksina anti-grip, nga disa subjekte te ndryshme tregtare. Vetëm në fillim të nëntorit janë importuar 25 mijë doza. Ndërkohë, qeveria ka marrë deri më tani 100 mijë doza vaksinash nga 368 mijë që ka porositur. Ato do të jepen flas pë punonjësit, fëmijët nga 2-5 vjeç, pensionistët, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, mësuesit edukatorët dhe punonjësit e rendit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi dje për mediat se deri më tani është vaksinuar i gjithë personeli mjekësor dhe po vijon vaksinimi i grup moshave që e përfitojnë falas.
Megjithatë kërkesa vazhdon të jetë e lartë dhe mbetet e pashjegueshme se pse depoet farmaceutike nuk sjellin vaksinë për sa kohë ato shiten?
Autoriteti i Konkurrencës ditë më parë ka njoftuar se “MEGAPHARMA” SHPK, është ndërmarrja e vetme e autorizuar për të importuar dhe për të hedhur në treg vaksinën antigrip, e sipas Autoritetit kjo është një shkelje e ligjit të konkurrencës. Sipas njoftimit, shkelja e ligjit u zbulua pasi inspektoi gjashtë farmaci dhe vuri re se vaksina në fjalë mund të gjendej vetëm pranë rrjetit të farmacive “Orange”, ku ndërmarrja “MEGAPHARMA”SHPK zotëron shumicën e kapitalit, e vendosi që të marrë një masë të përkohshme ndaj ndërmarrjes “MEGAPHARMA SHPK” në tregun e tregtimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore, duke e detyruar të furnizojë të gjitha depot dhe farmacitë e tjera dhe jo vetëm rrjetin e farmacive “Orange”, me vaksinën e gripit.

Gazeta pyeti sërish Agjencinë e Barnave për faktin e “zbuluar” nga autoriteti i konkurrencës se vetëm një kompani “MEGAPHARMA” është e autorizuar por burimet zyrtare nga ky institucion i hodhën poshtë pretendimet. Edhe farmacitë i thanë Gazetës “Si” se ka të paktën tre kompani që importojnë vaksinën anti-grip.
Kur e ri-pyetëm Autoritetin e Konkurrencës, për këtë fakt të ri ata thanë se “nuk mund të japin më shumë detaje për pjesën e tregtimit të vaksinave sepse është ende në proces hetimi”.
Por ndërkohë në vëzhgimin e saj Gazeta “Si” konstatoi se në asnjë farmaci momentalisht, nuk ka një stok të vaksinave të gripit, madje as në ato më të njohurat.
Sa e rëndësishme është vaksina e gripit për situatën?
Ekspertët e Shëndetit publik në vendin tonë kanë shprehur shpesh se vaksina e gripit është tepër e rëndësishme për imunitetin. Në një intervistë për mediat epidemiologu Ilir Alimehmeti, ka shpjeguar se vaksina e gripit mund të uli rriskun e infektimit me Covid-19 me 25-30%.
“Për vaksinën e gripit ka disa diskutime të gjitha pozitive në lidhje me vaksinë e gripit, ku na mbron nga gripi ku kemi 4 viruse që qarkullon në hemisferën tonë. Kjo eliminon gripin dhe ndihmon në uljen e vdekshmërisë. Personat që vaksinohen brenda një vit ka një ulje të riskut për t’u infektuar nga COVID-19 me 25-30 % sipas studimeve dhe kanë ulje të vdekshmërisë për rreth 15 %,” ka shpjeguar Alimehmeti.
Gjithashtu edhe Gjeorgjina Kuli-Lito, Shefja e Infektivit të Pediatrisë, ka shpjeguar se vaksina e gripit ka një mbrojtje të mirë të formave të ndryshme të virusit të influencës. Lito ka shpjeguar se vaksina e gripit fillimisht na mbron nga prekja e gripit dhe nga moskonfondimi i diganozës, sepse shenjat janë njësoj si të influencës si të gripit por ajo që është më e rëndësishme mbron rrugët e frymëmarrjes, një hallë tepër e rëndësishme për të shmangur sado pak infektimin nga Covid-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje