Editorial

Vendimi për izolimin që nisi, i paqartë

Aq sa na shpjegoi Komiteti i Ekspertëve për shtrëngimet e reja të lëvizjes dhe punës që nisin të mërkurën,  janë të pamjaftueshme dhe nuk shterrojnë disa nga shqetësimet bazë të qytetarëve.

Komiteti vendosi se çdo biznes dhe nominalisht baret e restorantet do të duhet të mbyllen me detyrim pas orës 10.00 të mbrëmjes. Po qytetarët pyesin po bizneset që punojnë natën. P.sh. furrat e bukës apo njësitë tregtare të shitjeve me shumicë që nisin furnizimet herët përpara orës 6.00 të mëngjesit. Po punonjësit e këtyre bizneseve që duhet të paraqiten në punë edhe më herët.

Komiteti tha se pas orës 10.00 të mbrëmjes dhe deri në orën 6:00 nuk do të lejohet asnjë lëvizje nga qytetarët. Po mirë p.sh çfarë do të ndodhë me punonjësit që punojnë, mbyllin punën në orën 22:00? Ata nuk mund të shkojnë në shtëpi sa hap e mbyll sytë me magji.

Po linjat urbane në qytete a do të punojnë pas orës 22:00? Siç e ka thënë deri tani komiteti nuk ka kuptim edhe ato mbyllen, por punëtorët me çfarë do të lëvizin?

Këto janë vetëm disa situata, e mund të ketë edhe të tjera. Ka diçka që nuk shkon mes orarit kur mbyllen bizneset dhe lëvizjes së kufizuar. Ndalesat e biznesit dhe lëvizjes ndoshta nuk duhet të jenë në të njëjtën kohë?! Ndoshta një ide është që bizneset të mbyllen në 22:00 dhe lëvizja e qytetarëve të nisë e të bllokohet më vonë, ndoshta 1 orë ose 30 minuta më pas dhe të hapet pak kaq kohë më parë.

Ndoshta duhen shmangur dhe ndaluar lëvizjet ku ka denduri p.sh urbanet, po pse duhen ndalur makinat personale apo taksitë me nga një udhëtar.

Njerëzit kanë të drejtë të mendojnë se infeksioni nuk përhapet me orar dhe të mos e kuptojnë këtë lloj kufizimi. Siç kanë të drejtë edhe ekspertët që kufizojnë mekanikisht lëvizjet apo grumbullimet, sepse sado i vogël të jetë efekti, ai është pozitiv dhe karantina e pranverës e tregoi.

Duhet mbajtur parasysh se ky kufizim në kohën e liridaljes do të shfryhet me të njëjtin densitet dhe ashpërsi që mbyllet. Do të kemi më shumë lëvizje, trafik e grumbullime në orët e para të ditës tjetër, e cila mund ta zhbëjë gjithë efektin e mbrëmjes, por dhe të krijojë të tjera probleme.

Nga ana tjetër sot në fuqi janë disa protokolle për kategori biznesesh p.sh distanca fizike në bare e restorante që sot hapur nuk zbatohen. Në urban udhëtojnë plot qytetarë pa maskë, por sipërmarrësit e  urbanëve nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. A nuk duhet që të nis mbikëqyrja e këtij protokolli pa lëshuar pe?!

Nëse ky izolim pjesor që nisi do të ndodhë kështu siç është paraqitur deri tani, do të krijojë probleme. Ose të paktën nuk do të merret seriozisht nga njerëzit. Qytetarët kanë nevojë për më shumë rregulla të qarta që të shmangim kaosin e ditëve të para dhe sigurisht edhe humbjet. Dhe, që në fund të fundit, edhe sakrifica të ketë kuptim. Institucionet nuk mund të sillen njësoj si në ditët e para të karantinës në pranverë; tani duhet të kenë aq përvojë e njohuri sa të kuptojnë dhe rregullojnë çfarë është gabim. Në mos, duhet të mbajnë përgjegjësi se nuk mund të falesh dy herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë