Kosova

Konfirmohet aktakuza, Kadri Veseli udhëton vetë drejt Hagës

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar zyrtarisht aktakuzën kundër kreut të Partisë Demokratike në Kosovës, Kadri Veseli.

Lajmin e konfirmoi vetë Veseli përmes një deklarate për shtyp ku po ashtu njoftoi se do të udhëtojë vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjet akuzave. Ai tha se do të udhëtojë këtë mëngjes drejt Hagës.

“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjes për në Hagë me përfaqësues të Tribunalit, ku do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes”, ka thënë Veseli.

Ai ka shprehur besim në objekitivitetin dhe paanshmërinë e gjykatësve.

“Kërkoj nga të gjithë në Kosovë që të tregojnë gjithmonë respektin e duhur për autoritetet e drejtësisë. Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Nuk duhet ndërmarrë asnjë përpjekje për të minuar punën e tribunalit, e as për të penguar dhe ndërhyrë në ndonjë mënyrë në këtë proces. Prandaj nëse ju kërkohet që të ndihmoni Dhomat e Specilizuara, ju lutem pranojeni pa hezitim”, ka thënë Veseli.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njoftoi se ka vendosur që të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë të zgjasë ky proces.

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë kishte paraqitur një aktakuzë kundër Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, duke i akuzuar për “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë