Ekonomi

Europa drejt një recesioni të ri pas bllokimeve të fundit?

Borxhi francez u rrit sa dyfishi i mesatares së zonës euro në gjysmën e parë të vitit, me borxhin privat që tejkalon gjithë shtetet europianë, sipas llogaritjeve të Bloomberg bazuar në Eurostat dhe të dhënat e Bankës Qendrore Europiane. Borxhi i ndërmarrjeve në Francë u rrit me 18.1 pikë përqindje të produktit të brendshëm bruto krahasuar me 7 pikë përqindje të PBB-së në Itali dhe 2.6 në Gjermani. Shtetet, ndërmarrjet dhe individët privatë po ngarkojnë borxhe për shkak të bllokimeve të shkaktuara prej koronavirusit, që po dëmtojnë rëndë ekonomitë.

Bllokimet e reja në Europë të njoftuara kanë shkaktuar një stuhi uljesh në parashikimet e rritjes ekonomike dhe udhëheqësit e biznesit në Mbretërinë e Bashkuar kanë bërë thirrje për më shumë ndihmë financiare nga qeveria për të mbështetur kompanitë e goditura nga kriza.

Bllokimet e reja të njoftuara në të gjithë Europën ditët e fundit për të mbajtur nën kontroll pandeminë e koronavirusit, kanë shkaktuar një stuhi uljesh në vlerësime të parashikimeve të rritjes ekonomike pasi kufizimet në aktivitete kërcënojnë rimëkëmbjen e kontinentit.

Ekonomia e zonës euro tani pritet të tkurret me 2.3 përqind në tremujorin e katërt të këtij viti, sipas ekonomistëve të anketuar nga Financial Times – një performancë më e keqe sesa kishin parashikuar para njoftimit të kufizimeve.

Blloku u tërhoq nga recesioni i tij i shkaktuar nga koronavirusi në tre mujorin deri në shtator, duke regjistruar rritje rekord tremujore të produktit të brendshëm bruto prej 12.7 përqind, treguan shifrat e botuara të premten, por prodhimi ishte ende shumë poshtë niveleve para-pandemisë.

Të dhënat, së bashku me një varg kufizimesh të reja të njoftuara në Francë, Gjermani dhe vende të tjera në ditët e fundit, bënë që ekonomistët të përplasen për të rifreskuar parashikimet e tyre. Një studim i Financial Times i 18 ekonomistëve në bankat dhe institucionet kryesore zbuloi se të gjithë përveç një prisnin që ekonomia e zonës euro të tkurrej përsëri në tremujorin e fundit. Shumica kishin parashikuar më parë rritje pozitive.

Banka e Anglisë pritet të parashikojë më vonë këtë javë se kthimi i Mbretërisë së Bashkuar në në rritje në stinën e verës ishte më i dobët sesa vlerësoi në gusht, se prodhimi në rastin më të mirë mezi do të rritet në tremujorin e katërt dhe se plagët ekonomike do të jenë më të thella dhe më afatgjata sesa shpresonte. Një bllokim i dytë kombëtar për Anglinë u njoftua të shtunën, ku do të vuajnë sektori i mikpritjes, turizimit dhe shitjet me pakicë jo-thelbësore për të paktën katër javë nga e enjtja.

Christian Keller, kryekonomist në Barclays, tha se: “Megjithëse perspektiva e prodhimit ka shkuar relativisht mire, rënia në pjesën shumë më të madhe të shërbimit të ekonomisë të prekur drejtpërdrejt nga kufizimet e reja, ka të ngjarë ta tërheqë përsëri ekonominë e zonës së euros në rritje negative”.

Shkalla e infektimit në të gjithë Europën po vazhdon të rritet, sipas të dhënave të botuara të dielën nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Numrat e rasteve në Belgjikë – shteti më i prekur i BE-së – u rritën nga 1,600 për 100,000 njerëz të premten në 1,702, përpara një bllokimi të pjesshëm që do të hynte në fuqi të hënën. Shkalla e infeksionit në Republikën Çeke – e dyta më e goditura – u rrit nga 1,513 në 1,561, ndërsa u ngjit mbi 1,000 në Slloveni dhe Luksemburg.

Në Francë, e cila filloi bllokimin e saj të dytë kombëtar të premten, numri i rasteve u rrit nga 706 në 742; në Mbretërinë e Bashkuar, norma u rrit nga 438 në 460; dhe në Gjermani – ku një bllokim i pjesshëm do të vendoset nga e hëna – shifra u rrit nga 182 në 206.

Pavarësisht nga rritja e rasteve, masat e reja janë më pak të ashpra sesa ato të vendosura në pranverë, ndërsa kompanitë janë më të përgatitura për të përballuar krizën, që do të thotë ekonomistët presin që rënia e re ekonomike të jetë më e butë sesa në bllokimin e parë; Prodhimi ekonomik i zonës euro ra 15 përqind në gjysmën e parë të vitit 2020.

Katharina Utermöhl, një ekonomiste në Allianz, tha se bizneset “kanë fituar përvojë për të lundruar mes kufizimeve të vështira të bllokimit”.

Zinxhirët e furnizimit të prodhuesve mbeten relativisht të padëmtuara, dhe eksportet po rriten.

Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas i tha gazetës Tagesspiegel se kufijtë e vendit “do të qëndrojnë të hapur” megjithëse kufizimet e reja ndalojnë lëvizjen e panevojshme midis qyteteve dhe ndalojnë qëndrimin në hotel për turistët.

Për më tepër “aktiviteti në disa sektorë ende nuk është kthyer në nivelet e para krizës, kështu që thjesht nuk mund të bjerë aq larg këtë herë”, tha Andreë Kenningham, një ekonomist në Capital Economics.

Në Francë, bizneset e vogla po ankohen se bllokimet favorizojnë zinxhirët e dyqaneve të mëdha, supermarketet dhe shitësit në internet si Amazon.

Lista e qeverisë e bizneseve thelbësore që mund të mbetet e hapur përfshin ato ushqimore, dyqane vere, dyqane riparimi biçikletash dhe shitës kompjuterash dhe celularësh, por përjashton libraritë, luleshitësit, veshjet dhe dyqanet e lodrave, teksa po afrohet sezoni i blerjeve të Krishtlindjeve.

Bruno Le Maire, ministri i financave i Francës, javën e kaluar tha se ai priste që aktiviteti ekonomik të binte 15 përqind gjatë bllokimit të ri – gjysma e goditjes prej 30 përqind të cilën ai tha se u përjetua gjatë javëve të bllokimit në pranverë.

Gilles Moec, kryekonomist në Axa, parashikoi që nëse bllokimi francez do të zgjaste deri në mes të dhjetorit “me një relaksim të moderuar përpara Krishtlindjeve” kjo do të çonte në një rënie tremujore prej 7.4 përqind të PBB-së kombëtare.

Lena Komileva, kryekonomiste në G + Economics, tha se: “Masat mund të rezultojnë më të ngadalta për t’u ngritur plotësisht gjatë sezonit të gjatë të gripit dimëror, madje edhe me rritjen e fortë por të shkurtër sezonale të udhëtimit të Krishtlindjeve dhe aktivitetit me pakicë.”

Dhe rreziku i bllokimeve në të ardhmen do të ndikonte gjithashtu në sjelljen e konsumatorëve, sipas Carsten Brzeski, një ekonomist në ING: “Do të ketë më shumë kursime paraprake thjesht sepse më shumë njerëz do të besojnë se mund të ketë më shumë bllokime në vitin e ardhshëm edhe pasi gjërat të hapen përsëri ”.

Ai parashikoi rritjen e PBB-së në zonën e euros me vetëm 0.7 përqind tremujor pas tremujori në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm./ Burimi: Bloomberg, Financial Times / Në shqip: Gazeta “Si” /


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë