Kosova

Kosova ashpërson masat, test anti-Covid për të gjithë të huajt

Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar masat mbrojtëse dhe kufizuese, duke vendosur me detyrim dëshminë e një testi negativ Covid-19 të kryer brenda tre ditëve të fundit për të gjithë shtetasit e huaj që duan të hyjnë në vend.

Detyrimi vlen për të gjithë shtetasit e vendeve që konsiderohen sipas Qendrës Europian për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDPC) dhe sipas parimit të reciprocitetit. Kjo do të thotë se për vende me risk të lartë infeksioni, që nuk e aplikojnë këtë rregull për Kosovën, as Kosova nuk do ta aplikojë për ta.

Në këtë listë bën pjesë edhe Shqipëria. ECDPC ka përditësuar për herë të fundit listën e vendeve me risk të lartë infeksioni këtë të diel në orën 10:57 minuta. Shqipëria ndodhet ende në këtë listë, por duke qenë se vendi ynë nuk kërkon teste negative anti-Covid, as Kosova nuk do të kërkojë për shtetasit e Shqipërisë.

Vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës do të jetë në fuqi për 2 javët në vazhdim. Ai mund të ndryshojë vetëm nëse situata epidemiologjike përmirësohet, ndërsa për shqiptarët që duan të hyjnë në Kosovë.

Sipas vendimit, restorantet, baret dhe lokalet mbyllen në orën 21:00 dhe hapen në orën 05:00. Gjatë orarit të punës ato duhet të sigurojnë dezinfektantë për çdo tavolinë si dhe të masin temperaturën e çdo klienti me detyrim. Ndalohet grumbullimi i më shumë se 6 personave, edhe në publik. Teatrot dhe kinematë mbahen hapur, por duhet të funksionojnë me 30 për qind të kapacitetit pritës për spektatorët.

Të gjitha institucionet shtetërore dhe private duhet të sigurojnë zbatimin e të gjitha masave mbrojtëse anti-Covid, përfshirë këtu distancimin social, pajisjen me dezinfektantë dhe me maska mbrojtëse për punonjësit.

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës ka mbyllur tregjet e shitjes së automjeteve dhe gjithashtu edhe tregjet e gjësë së gjallë, ndërsa thertoret lejohen të funksionojnë sipas protokollit strikt të sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë