Kosova

Iu transferuan në llogari 2.1 mln euro nga thesari i Kosovës, dorëzohet i dyshuari

Kadri Shala, pronari i kompanisë LDA group, është personi që dyshohet se ka përfituar 2.1 milionë euro nga Thesari i Shtetit i republikës së Kosovës.

Pas vetëdorëzimit në polici ai u shpreh se kjo shumë i është transferuar në llogari pa dijeninë e tij. Por pavarësisht kësaj, ai do të qëndrojnë në ambientet e paraburgimit për të paktën 48 orë. Avokati i Shalës u shpreh se klienti i tij ka zbatuar me përpikëri ligjet e republikës së Kosovës.

“I njëjti paraprakisht siç ka paralajmëruar se do të paraqitet në stacionin policor dhe do të bëjë vet dorëzimin, i njëjti ashtu ka vepruar. Sot dikur rreth orës 12 e 45 minuta kemi ardhur në stacionin policor, jemi paraqitur dhe kemi filluar intervistën diku nga ora 12 e 55 minuta deri në ora 17 e 5 minuta.

Çdo gjë ka qenë konform ligjit, sjellja ka qenë korrekte, i janë respektuar të drejtat, liritë. Tani për tani nuk mund të lëshohemi më tepër për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, u shpreh avokati Osman Hoxha

Gjatë kohës që Shala kërkohej nga Prokuroria Speciale ai u kthye nga Turqia, dhe kaloi nëpër aeroportin ndërkombëtar i pa shqetësuar. Në lidhje më këtë çështje, avokati nuk pranoi të prononcohej.

“Ky ka jetuar në Kosovë, ashtu siç është thënë edhe më herët përmes mediave, ka udhëtuar për një kohë të shkurtër në Turi, është kthyer vetë sot. Unë veç u shpreha lidhur me atë që kemi ardhur me të dhe bashkë jemi paraqitur në stacionin policor në Prishtine. Ajo çështje nuk i përket avokatisë, janë organet kompetente”, shtoi avokati.

As policia nuk dha një shpjegim se si mundet që një i kërkuar të lëvizë i qetë në aeroport.

Në lidhje me këtë çështje pas hekurave është venë edhe punonjësi i thesarit Labinot Gruda. Ky i fundit dyshohet se ka transferuar shumën e 2.1 milion eurove nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë