Në Kuvend është dorëzuar për ratifikim marrëveshja e nënshkruar mes Qeverisë shqiptare dhe aleancës “Gavi”, themeluar nga fondacioni “Bill dhe Melinda Gates” për porositjen e vaksinës së mundshme anti-Covid.
“Gavi”, ose “Aleanca e Vaksinës” është një partneritet publik-privat, që thotë se ka për objektiv të ndihmojë vendet e varfëra që të kenë akses në vaksinën e mundshme anti-Covid.
Sipas marrëveshjes në fjalë, Shqipëria ka paguar rreth 3.5 milionë dollarë parapagim për porositjen e rreth 1.4 milion vaksinave para datës 9 tetor, ndërsa diferenca tjetër e nëse kosto e vaksinës do të jetë më e lartë do të paguhet në momentin e marrjes së dozave.
Marrëveshja është nënshkruar më 18 shtator mes Qeverisë shqiptare dhe aleancës Gavi. Në të parashikohen me detaje përgjegjësitë, detyrimet dhe të drejtat e secilës palë, përfshirë këtu e dhe adresimin në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit nëse ka mosmarrëveshje.
Sa i takon përfundimit, kontrata përfundon në vitin 2023 në rastet kur nuk ka një vaksinë të prodhuar të miratuar anti-Covid dhe nëse palët bien dakord më herët se ky afat.
Brenda Gavi-t është ngritur mekanizmi i “Angazhimit të Tregut të Avancuar Covax, që fondacioni “Bill dhe Melinda Gates” i kanë vënë si synim mbledhjen e fondeve për subvencionimin dhe blerjen e dozave për 92 ekonomi në zhvillim, ose të varfëra. Gavi synon që brenda vitit 2021 të sigurojë 2 miliardë doza vaksine të sigurtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.