Kosova

Thaçi kërkon ndryshimin e Kushtetutës, Haga i del kundër

thacihagegazetasi

Prokuroria e Posaçme e Hagës, që po heton Hashim Thaçin me akuzën e krimeve të luftës ka hedhur poshtë propozimet e shprehura nga Presidenti i Kosovës për ndryshimin e nenit të Kushtetutës që ka të bëjë e Gjykatës Speciale.

Përmes një deklarate të bërë publike në faqen e saj zyrtare, Prokuroria Speciale thotë se Kushtetuta nuk ka nevojë për ndryshime, se mandati i saj përcaktohet qartë në të dhe se propozimet e Thaçit kanë për qëllim që zhvlerësojnë veprimet e deritanishme të këtij institucioni, duke nënkuptuar këtu edhe hetimet e kryera në kuadër të aktakuzës së ngritur ndaj Presidentit të Kosovës.

“Neni 162 i Kushtetutës në formën e tij aktuale përshkruan në mënyrë të përshtatshme mandatin e Dhomave të Specializuara. Është e qartë nga deklaratat publike të z. Thaçi se qëllimi kryesor i ndryshimeve të propozuara është përpjekja për të përfunduar, ose ndryshe për të zhvlerësuar veprimet e Dhomave të Specializuara në shkelje të detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe në kundërshtim me të drejtat dhe interesat e palëve dhe pjesëmarrësve në procedurat në vijim”, thotë Prokuroria Speciale.

President Hashim Thaçi i kërkoi Kuvendit të Kosovës në fund të muajit gusht, pak javë pasi u mor në pyetje nga Prokurorët Specialë në Hagë për aktakuzën e krimeve të luftës, që të shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të pikës 13 të nenit 162 të Kushtetutës, ku përcaktohet mandati 5-vjeçar i Gjykatës Speciale.

Thaçi propozon që ky nen të ndryshohet dhe nga afati 5-vjeçar të përcaktohet se mandati i Gjykatës Speciale zgjat deri në njoftimin e përfundimit të tij nga ana e Këshillit të Bashkimit Europian në konsultim me Qeverinë e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë