Politike

“Deti” dhe qasja ndryshe e Metës: Duhet dialog dhe në përputhje me vendimin e Kushtetueses

Në pak minuta, në një dalje të posaçme për mediat, Kryeministri Edi Rama njoftoi pas takimit me Ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias, se dy vendet kishin rënë dakord për t’iu drejtuar Gjykatës së Hagës për të zgjidhur çështjen e detit.

Por, në një tjetër takim të zhvilluar më vonë në zyrën e Presidentit, kreu i shtetit, Ilir Meta ndan një qasje ndryshe, madje edhe nga vetë qëndrimet e mëhershme të tij

“Në lidhje me çështjen e delimitimit të hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, inkurajoj të trajtohet përmes një dialogu të sinqertë dhe respekti reciprok, duke synuar një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme.

Marrëveshja për këtë çështje të rëndësishme duhet të jetë në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, me legjislacionin e të dy vendeve dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,  thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/406167254118213/?t=18

Gjatë takimit, Meta vlerësoi marrëdhëniet Shqipëri-Greqi si ndër prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme.

“Theksova se duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, të lidhura nga interesat strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO, perspektiva e përbashkët europiane dhe interesat ekonomike të të dy vendeve.

Pakica greke në Shqipëri është një urë e fortë për miqësinë tonë të gjatë dhe së bashku me shqiptarët që jetojnë në Greqi përbëjnë themelet e marrëdhënieve tona të shëndosha dhe afatgjata”, thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë