Presidenti i Kosovës priti në një takim të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak. Dy ishin kërkesat që Hashim Thaçi adresoi në drejtim të Brukselit.
E para lidhej me dialogun me Serbinë, ku i tha përfaqësuesit të BE-së se kishte ardhur koha që Brukseli të shtronte në tryezë njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve, duke e kaluar nivelin e bisedimeve nga teknik në politik.
“Besoj fuqishëm që ka ardhur momenti që BE-ja të hedhë në tavolinë marrëveshjen për njohjen reciproke dhe jo të vazhdojë me dialog teknik”, tha Thaçi.
Thaçi thotë se me Lajçak ka pasur një bisedë konstruktive dhe ndan bindjen se njohja reciproke si dy shtete të pavarura mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rrugë.
Kërkesa e dytë lidhej me liberalizimin e vizave. Thaçi e cilëson një padrejtësi historike.
“BE-ja duhet të lëvizë sa më shpejt në çështjen e liberalizimit të vizave, sepse janë vonuar dhe po ndodh padrejtësisht ndaj qytetarëve të Kosovës. Vetëm njohja reciproke mund të jetë mundësia e vetme që garanton stabilitetin në rajon dhe fqinjësinë mes dy shteteve”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




