Lulzim Basha akuzon Kryeministrin Edi Rama se edhe në këtë periudhë të vështirë të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit e ka mendjen se si të materializojë afera, që kreu i opozitës i vlerëson si korruptive.
Basha tha se Rama po përgatitet që të ndryshojë sërish kryetaren e Bashkisë së Durrësit, pasi ajo refuzon që të firmosë dërgimin e mbetjeve të këtij qyteti tek inceneratori i Tiranës.
“Për inceneratorët po bëhet gati ta ndërrojë për herë të 5-6 kryetarin e Bashkisë në Durrës, sepse nuk pranon të firmosë aferën për të çuar mbetjet e Durrësit në inceneratorin e Tiranës. Plani është që Milva Ekonomi të japë dorëheqjen nga deputete dhe të shkojë në Durrës si nënkryetare e më pas të bëhet kryetare dhe të firmosë aferën korruptive të inceneratorëve”, u shpreh Basha.
Kreu i PD-së tha se koha do ta provojë nëse Rama do të ndryshojë këtë skenar pas denoncimit të tij apo jo, por këtë e mori si shembull për të treguar se sipas tij, prioritet i Ramës janë aferat korruptive dhe ndarja e parave të taksapaguesve shqiptarë për një grusht oligarkësh.
Në këtë konferencë, Basha tha se situata shëndetësore, ekonomike dhe sociale është më shumë se dramatike. Ai akuzoi se shifrat me të infektuarit realë në vend janë të manipuluara dhe përsëriti kërkesën drejtuar Qeverisë që të zbatojë sa më parë planin me 5 pika të Partisë Demokratike për përballimin e krizës.
“Nuk ka më asnjë minute kohë për të pritur. Vendi është futur në qorrskak drejt greminës”, u shpreh ai.
Megjithatë, kreu i PD-së u shfaq i bindur se plani i tij me pesë pika nuk do të zbatohet nga Edi Rama, që siç tha ka një tjetër objektiv.
“Ta lërë të keqen të shkojë deri në fund dhe më pas të hapë pikatoren për qytetarët, se me lopata i çon paratë tek oligarkët”, u shpreh ai.
Në lidhje me përgatitjen elektorale të opozitës, kryedemokrati tha se aktualisht prioritet i opozitës është situata aktuale e shkaktuar nga pandemia dhe kriza e përgjithshme, që sipas tij, po e shtyn vendin çdo ditë e më shumë drejt greminës.
Në lidhje me deklaratën e Bashës për inceneratorin e Tiranës dhe lëvizjet, sipas tij te planifikuara në Bashkinë e Durrësit ka reaguar Kryeministri, Edi Rama.
Ai as i pohon dhe as i mohon deklaratat e kreut të PD, por thotë se "ai s'mund ta ndalojë rilindjen urbane dhe fushat sanitare të trajtimit të mbeturinave.
"Do ti s'do ti, doni ju s'doni ju, Shqipëria e Rilindjes Urbane dhe e fushave sanitare të përpunimit teknologjik të mbetjeve nuk do të ndalet deri kur në asnjë cep të shtëpisë sonë të përbashkët të mos digjen e mos kalben plehra, sepse mesjeta juaj ka vdekur e s'kthehet më!…Prandaj Lulëzim hiq dorë nga nostalgjia për mbeturinat që ke mbi krye e mbi supe dhe harroje se duke sharë,akuzuar,shpifur do ta kthesh Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin e Shqipërinë, në epokën e vargmaleve të turpshme me plehra në emër të popullit që mezi të pret në 25 prill!", shkroi Rama në Twitter.
Basha i u kundërpërgjigj po përmes Twitteri.
"75 milionë euro për mafian e plehrave ka paguar Edi Rama, nga lekët e shqiptarëve.Asnjë kacidhe për 100 mijë të papunë, për pensionistët,për mjekët dhe infermierët, për sipërmarrjen drejt kolapsit.Boll me vjedhje e me kakarisje gënjeshtrash dalë boje.Zbato planin me 5 pika! Tani!", deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.