Saimir Taullau, një emër i njohur në qytetin e Lushnjes, i akuzuar dhe dyshuar si një prej drejtuesve të bandës rivale me Aldo Baren, është arrestuar së fundmi në Maqedoninë e Veriut me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Në momentin e arrestimit atij nuk i është gjetur lëndë narkotike me vete, por është prangosur për llogari të autoriteteve zvicerane, që kanë nxjerrë një urdhër-ndërkombëtar ndalimi, duke e dyshuar si drejtuesin e një rrjeti që trafikon drogë në Zvicër.
Saimir Taullau njihet si biznesmen në qytetin e e Lushnjes. Në muajin shkurt, OFL i kërkoi që të deklarojë dhe justifikojë burimin e pasurisë që zotëron. Taullau ka përfunduar shpesh në qendër të vëmendjes së opinionit publik pas dy atentateve të dështuara për ta eliminuar.
Ai rezulton pronar i vetëm i kompanisë “SABA-Taullau 3” me zyra në Lushnje me veprimtari në fushën e ndërtimit dhe zbatimit të punimeve, prodhim inertesh e ndërtime rrugësh, projektim, montim dhe shërbim për pikat e karburantit, transport i pasagjerëve për llogari të vetat dhe të personave të tretë dhe shitje karburantesh me pakicë, plus hotel, bar-kafe, lavazh e restorant. Aktiviteti i kompanisë së Taullaut në tregti me import-eksportet thuhet se është zgjeruar me Greqinë dhe Italinë. Megjithatë, në pasqyrën financiare të deklaruar për 2018, kompania deklaron humbje.
Emri i Saimir Taullaut do të përmendje publikisht për herë të parë në vitin 2008 gjatë procesit gjyqësor kundër Aldo Bares. Ai ishte dëshmitar në këtë gjyq dhe akuzonte ish-kreun e bandës së Lushnjes për vrasjen e vëllait të tij, Baki Taullau në një ngjarje të ndodhur në vitin 2005. Shkak i vrasjes së Baki Taullaut mendohej se ishte refuzimi i viktimës për të paguar gjobën tek banda e Aldo Bares.
Megjithatë, flitet se përplasja mes Aldo Bares dhe familjes Taullau është më e hershme dhe fillon që në vitin 1999, kur thuhet se kreu i bandës së Lushnjes është përpjekur që të rekrutojë si pjesë të grupit të tij Saimir Taullaun. Ky i fundit ka refuzuar dhe për këtë, pak vite më vonë, Aldo Bare ka gjobitur biznesin e Baki Taullaut me 500 mijë euro.
Por, me burgosjen e Aldo Bares nuk u shua përplasja mes Taullaut dhe miqëve të tij me persona që dyshohet se mbajnë ende në këmbë bandën e Aldo Bares në Lushnje, duke filluar që me nipin e tij, Xhulio Shkurti. Këtij të fundit i bënë një atentat pak vite më parë, ku si autor u akuzua shtetasi Laert Hoxha, i njohur si mik me Saimir Taullaun. Po ashtu, vetë Saimir Taullau u ka shpëtuar dy atentateve, ku ka mbetur i plagosur lehtë, ndërsa në 2019, banesës së vëllait tjetër të tij në qytetin e Lushnjes, Berti Taullau iu vendos tritol, që fatmirësisht shkaktoi vetëm dëme materiale.
Veç këtyre episodeve, Saimir Taullau është dënuar me 3 vite burg për një sasi prej 1.2 kilogramësh heroinë që u kap gjatë një aksioni të policisë në Durrës. Bashkë me të u dënua edhe Laert Haxhiu, që në përpjekje për t’u arratisur u hodh nga një lartësi e madhe duke thyer këmbën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.