Ekziston një akt normativ në fuqi, ku ndalohet muzika pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji.
Madje, mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.
Pa folur më pas se ka një protokoll të veçantë edhe për festat... Të gjitha vetëm në letër. Sepse ato shkelen më së pari nga ata që duhet të zbatojnë të parët ligjin.
Siç është edhe rasti i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, që nuk lë konferencë për shtyp pa folur në emër të ligjit.
Që më mëngjes, ai ka përshëndetur ndjekësit e tij në Facebook me një valle të hedhur në një mbrëmje feste plot me njerëz, me muzikë të lartë, kur nata shihet se ka rënë e ora 20.00 ka kaluar me kohë.
“Një mbrëmje e paharrueshme në Zall Dardhë. Këto vise të mrekullueshme duhet të gjallërohen përgjithmonë!”, shkruan Ilir Meta duke e shoqëruar postimin e tij të shkurtër edhe me një valle në kohë korone, kur nga Tirana çdo ditë po bëhet thirrje për zbatim e shtrëngim masash e ku vendet e Evropës po i frigohen një valë të dytë pandemie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.