Rend dhe Ligj

Ekzekutohet vëllai i Talo Çelës, i shpallur në kërkim për grabitjen e Rinasit

Një tjetër vrasje ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjteje në Elbasan, ku është ekzekutuar një 50-vjeçar.

Katër autorë të maskuar kanë qëlluar me pistoletë me breshëri ndaj Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, një emri shumë të njohur në botën e krimit. Ai ka zbritur nga automjeti në ato momente dhe sapo ka hyrë në lokalin djathtas hyrjes në rrugën e Peqinit është qëlluar. 50-vjeçari punonte si taksist pa licencë.

Çela shkonte çdo mëngjes herët te lokali, ku u ekzekutua, që rrinte i hapur 24 orë, dhe priste pasagjerët që vinin nga autobusët e Greqisë.

Mësohet se autorët e kishin ndjekur 50-vjeçarin dhe janë larguar vetëm pasi janë siguruar se ai kishte vdekur. Ndërkohë Policia ka marrë pamjet filmike nga bizneset e zonës teksa janë ngritur disa pika kontrolli.

Vëllai i Bujar Çelës, Talo Cela është një nga personat më të kërkuar në Shqipëri.

Ai u shpall në kërkim për grabitjen e Rinasit në prill të vitit 2019, teksa më pas dyshohet se ishte i përfshirë edhe në vrasjen e vëllezërve Haxhiaj në Durrës.

Sipas informacioneve, prej kohësh grupi kriminal i Rinasit është në kërkim të parave që grabitën në 2019, dhe për këtë kanë filluar përplasjet, ku Talo Çela u kishte lënë për t’i ruajtur vëllezërve Viktor e Besmir Haxhiaj një sasi parash, dhe këta të fundit nuk ja kishin kthyer.

Tashmë Talo Çela është dhe subjekt i OFL, teksa ngjarjet ku ka qenë i implikuar dyshohet se kanë çuar në vrasjen e të vëllait, Bujar Çela, pa asnjë precedent penal, për hakmarrje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë