Izolimi dhe gjithë gjendja e krijuar për shkak të pandemisë u ka sjellë shumë njerëzve një problem me gjumin. Duke filluar nga ëndrrat e këqija deri te ankthi dhe shqetësimet natën për shkak të lajmeve dhe informacioneve që dëgjojmë gjatë ditës, gjumi 8 orë që rekomandohet nga ekspertët është bërë i vështirë të arrihet.
Kushdo që është prekur nga një gjumë i keq mund të tregojë sa ndikon ky fenomen në gjendjen fizike dhe jo vetëm.
Në rrjetet sociale shumë janë ankuar muajt e fundit për shqetësimet gjatë natës dhe të gjithë po përpiqen të kuptojnë pse ndodh diçka e tillë.
Eksperti James Wilson thotë se ka disa faktorë që ndikojnë.
“Unë mendoj se ka një numër faktorësh që kontribuojnë në gjumin e keq për momentin. Pesë muaj në pandemi dhe ankthi dhe stresi rreth nesh janë akoma mjaft të larta, sidomos që tani pritet rikthimi nëpër shkolla dhe punë ato që deri tani kanë punuar nga shtëpia. Ka njerëz që i kap ankthi kur e mendojnë se rastet e reja me Covid-19 po rriten çdo ditë e prapseprap do të hapen shkollat. Shto pastaj pjesën që qetësia e natës ndihmon mendimet e këqija të dyfishohen.” tha Wilson.

Ai thotë se faktor tjetër është dhe moti. Në temperaturat e larta është e vështirë të flesh dhe detyrimisht detyrohesh të hapësh dritaret. Dritaret e hapura sjellin çdo zhurmë nga jashtë. Të gjitha këto mblidhen bashkë e për këtë arsye është e vështirë të flemë mirë.
Sally Bonser, drejtoresha e marketingut në kompaninë “nanu”, gjithashtu ka parë një rritje ankesash nga klientët e saj kohët e fundit.
“Çdo ditë vijnë njerëz që kërkojnë një jastek të mirë sepse nuk flenë dot natën apo kërkojnë këshilla për llojin e dyshekëve që duhet të përdorin pasi mendojnë se këto po e shkaktojnë parehatinë gjatë natës.” thotë ajo.
Ndërsa Sally tregon që vala e nxehtësisë ka qenë faktori kryesor, ajo gjithashtu thotë se lajmet që lexojmë ka të ngjarë të luajë rol në mendjet e njerëzve dhe të shkaktojë ankthin themelor.
Duke dhënë këshillën e saj se si të përpiqesh ta luftosh këtë, ajo thotë se një nga gjërat më efektive që mund të bësh është të mos përdorësh telefonin apo çdo pajisje tjetër elektorike të paktën një orë para gjumit.
Ajo thotë se përveç dritës blu të teknologjisë që shqetëson ritmin tonë cirkadik, lajmet janë kudo nëpër rrjete sociale dhe është e pamundur të mos lexosh të paktën një lajm që do të shqetësojë.

“Jepini trurit tuaj një pushim nga teknologjia për aq kohë sa të jetë e mundur para gjumit, për t’i lejuar vetes mundësinë që të largohesh me të vërtetë nga bota e jashtme.” thotë Sally.
Burimi:Stylist. Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje