Sociale

Polonia ndryshon rregullat e hyrjes, shqiptarët kthehen mbrapsht

Ministria e Jashtme njoftoi se Polonia ka ndryshuar rregullat e hyrjes për qytetarët shqiptarë dhe u kërkon atyre që planifikojnë të udhëtojnë drejt aeroportit të Varshavës, qoftë edhe si tranzit, që të informohen më parë me rregullat e reja.

MEPJ thotë se rregullat janë ndryshuar në mënyrë të beftë dhe ditën e shtunë një grup qytetarësh shqiptarë që udhëtuan me kompaninë polake “LOT Airline” nuk janë lejuar që të hyjnë në Poloni.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Poloni në komunikim të ngushtë me disa shtetas të bllokuar në aeroportin e Varshavës, u vu menjëherë në komunikim me autoritetet vendase dhe me drejtuesit e kompanisë ajrore LOT Airline duke arritur që të bëhej e mundur vendosja e një avioni charter në dispozicion të shtetasve për t’i rikthyer në atdhe, sot, e diel, 16 gusht 2020, herët në mëngjes”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Sipas rregullave të reja të miratuara nga autoritetet polake shqiptarët nuk lejohen që të hyjnë. Praktikisht, kjo masë e autoriteteve polake ka mbyllur të gjitha fluturimet me Tiranën, me përjashtim të disa kategorive. Tirana International Airport (TIA) ka sqaruar se cilat janë kategoritë e personave që lejohen të hyjnë në Poloni.

Së pari janë personat të martuar, ose fëmijë të një qytetari polak, ose janë në kujdes të përhershëm të një qytetari në Poloni.

Grupi i dytë janë personat e pajisur me kartën polake, ose që njihet si leje e përhershme, apo e përkohshme qëndrimi, më pas personat e pajisur me leje pune, drejtues të misioneve diplomatike në Poloni dhe personat që janë studentë në këtë vend. Këta të fundit duhet të pajisen me një dokument që e vërteton se vijojnë studimet në Poloni, të cilin duhet t’ia tregojnë policisë kufitare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë