Ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf në një takim me Ministren e Financave Anila Denaj ka folur për përmirësimin e klimës së biznesit dhe nevojën e përhershme për dialog publik-privat.
Ministrja Denaj gjatë takimit të sotëm (e hënë) u shpreh se është e gatishme për të trajtuar çdo sugjerim të dhomave të tregtisë dhe industrisë në vend, dhe për çdo propozim të mëtejshëm në raport me rritjen e investimeve të huaja direkte në vend.
Ambasadori Zingraf bëri me dije alokimin e një fondi shtesë prej 10.5 milionë euro për bashkëpunimin ekonomik dhe teknik mes dy vendeve, për periudhën 2020 – 2021, në mbështetje ndaj ndikimit të pandemisë COVID-19, të përqendruar veçanërisht në mbështetjen ndaj SME-ve, zhvillimit dhe promovimit të tyre, por edhe zonave rurale dhe arsimit profesional.
Ministrja Denaj vlerësoi mbështetjen e qeverisë gjermane dhe vëmendjen ndaj sektorëve prioritarë ne vend përgjatë viteve. Gjermania mbetet një partner strategjik për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por edhe në kuadër të proceseve integruese drejt BE-së.
Ajo informoi Ambasadorin dhe përfaqësuesit e Ambasadës Gjermane për vendimet e fundit të qeverisë mbi programet e punësimit dhe nxitjen e riintegrimit në tregun e punës të qytetarëve të larguar, si pasojë e COVID-19 dhe mbi iniciativat fiskale në mbështetje të sektorit privat, me fokus biznesin e vogël. Ajo solli në vëmendje përpjekjet dhe angazhimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për mbarëvajtjen e financave publike, pavarësisht situatave të krijuara nga tërmeti dhe pandemia.
“Rritja e angazhimit dhe mbështetja në situatat e tërmetit dhe pandemisë janë dëshmi e bashkëpunimit të fortë bilateral. Prioritetet e përbashkëta dhe orientimi i punës së Qeverisë dhe partnerëve gjermanë në sektorët më me peshë në ekonomi dhe në jetën e qytetarëve kanë qënë kyc në bashkëpunimin e vazhduar” theksoi Ministrja Denaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




