Rend dhe Ligj

I arrestuar në Turqi dhe Itali për drogë, sekuestrohet pasuria e pronarit të “Ora News”, Ylli Ndroqi

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur sekuestrimin e pasurive të pronarit të “Ora News”, Ylli Ndroqi.

Vendimi vjen pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku biznesmeni Ylli Ndroqi ishte subjekt i ligjit anti-mafia. Ndroqi shkoi në Drejtorinë e Policisë Tiranë, pasi kanë dashur t'i marrin makinën me të cilën ai udhëtonte pasi gjyqtarja Etleva Deda kishte shpallur sekuestro. Ndroqi ka kërkuar sqarime dhe ka shkuar në polici bashkë me makinën.

Për avokatët sulmi ndaj Ylli Ndroqit është politik, pasi biznesmeni ishte në gjyq me kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj.  Në një prononcim për mediat, ata thanë se vendimi për sekuestrimin e pasurisë së Ndroqit është vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë të SPAK, ndërsa do të apelojnë këtë vendim në shkallë më lart të Gjyqësorit.

“Ylli Ndroqi nuk është i shoqëruar. Na është dhënë vendimi në dorë për sekuestro. Ky është vendim i shkallës së parë të SPAK, do ta apelojmë. Makina e tij ndodhet në ambientet e Policisë së Tiranës.

Zoti Ylli Ndroqi do të provojë para gjykatës se pasuria e tij është e ligjshme dhe e vendosur nga bizneset e tij. Ky është një sulm politik ndaj Ylli Ndroqit, pasi ishte në gjyq me kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj”, deklaruan avokatët.

Pronari i "Ora News" dyshohet se ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale në Turqi dhe Itali dhe se pasuria është e pajustifikuar.

Sipas SPAK, më 9 shtator të vitit 1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, në kuadër të operacionit të policisë ″ESAS″, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu.

Gjithashtu ai është arrestuar edhe në vitin 2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos.

Siç njofton SPAK, të dhënat e siguruara nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Qendrore Kombëtare, Interpol-Ankara, Turqi, është konfirmuar se shtetasi Ylli Bahri NDROQI, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) PASMACIU (PASMAÇIU), i arrestuar në Turqi.

Po ashtu, Zyra Qendrore Kombëtare Interpol ka përcjellë të dhëna për aktivitetin kriminal të Ylli Ndroqit (alias Xhemail Pasmaçiu), të siguruara nga Interpol Roma/Itali. Autoritetet italiane kanë konfirmuar se në vitin 2004 Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit ″BAKLLAVA″, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. “Në vijim ai u arrestua më datë 17.02.2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Pas analizës së fakteve dhe dokumentacionit të administruar për sa u përket pasurive të Ylli Ndroqit (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, ka rezultuar se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

“Së pari, pasuritë e mësipërme janë pasuri që plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) është i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale ″Trafikimit të narkotikëve″ dhe ″Organizata kriminale″, sipas legjislacionit penal turk, parashikuar njëkohësisht si vepër penale nga nenet 283/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si dhe pasuritë në fjalë janë krijuar gjatë përfshirjes së këtij shtetasi në veprimtarinë kriminale të mësipërme.

Së dyti, pasuria e mësipërme, zotërohet nga shtetasit e sipërpërmendur si subjekt te ligjit dhe ekzistojnë prova konkrete se janë të pajustifikuara. Duke u krahasuar vlera e tyre me të ardhurat e fituara në rrugë të ligjshme, rezulton se vlera e tyre nuk iu përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave dhe të fitimeve të realizuara në rrugë të ligjshme.

Së treti, ka arsye të bazuara për të besuar së lidhur me pasurinë e mësipërme ekziston rreziku real për humbjen, për marrjen apo për transferimin e saj tek persona të tjerë, me qëllim për të bërë të pamundur konfiskimin e këtyre pasurive”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

GJKKO vendosi sekuestrimin e këtyre pasurive:

1. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 117 m 2 , me adresë, Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës.

2. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 300 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.

3. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 600 m 2 , mbi të cilën ndodhet një ndërtesë me sipërfaqe 90 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.

4. Pasuria e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe totale 43.7 m 2 , me adresë, Tiranë.

5. Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe totale 67.3 m 2 , me adresë, Tiranë.

6. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 15 m 2 , me adresë, Tiranë.

7. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 300 m 2 , me adresë, Zbarqe, Tiranë.

8. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe totale 2026 m 2 , me adresë, Mullet, Tiranë.

9. Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 52.3 m 2 , me adresë, Rruga ″Qemal Stafa″, Tiranë, në bashkëpronësi me shtetasen Mimoza Ndroqi

10. Pasuria e llojit pyll, me sipërfaqe totale 100 000 m 2 , me adresë, Lanabregas, Tiranë.

11. Automjeti i tipit autoveturë, marka Merces-Benz, modeli S600, ngjyra e zezë, me targa AA 007 YN, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.

12. Automjeti i tipit autoveturë, marka BMË, modeli 760LI, ngjyra e zezë, me targa AA 007 AV, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.

13. Automjeti i tipit autoveturë, marka Land Rover, modeli Range Rover Vogue, ngjyra e zezë, me targa CD 6902 A, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.

14. Automjeti i tipit autoveturë, marka Merces-Benz, modeli S600, ngjyra e zezë, me targa CD 6901 A, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.

15. Automjeti i tipit autoveturë, marka RollsRoyce, modeli PHANTOM, ngjyra e zezë, ma targë AA 001 YN, në pronësi të shtetases Mimoza Ndroqi.

16. Sekuestrimin e masës prej 51% të kuotave të shoqërisë ″Landon″ sh.p.k., me NIPT K92226004H, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.

17. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “YLDON” sh.p.k., me NIPT K31618007S, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.

18. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “RENDON OIL″ sh.p.k., me NIPT L57716501I.

19. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “DON – UCD” sh.p.k., me NIPT L51326022D, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.

20. Sekuestrimin e masës prej 80% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″Ecogades Landon Balcan″ sh.a., me NIPT L22006005S, me aksioner shoqërinë ″Landon″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.

21. Sekuestrimin e masës prej 30% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″CHANNEL ONE″ sh.p.k., me NIPT K12412002L, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.

22. Sekuestrimin e masës prej 50% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″P S 31″ sh.p.k., me NIPT L42215016R, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.

23. Sekuestrimin e masës prej 80% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″INTERKINEX″ sh.p.k., me NIPT J71506006T, me aksioner shoqërinë ″YLDON″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.

24. Sekuestrimin e masës prej 60% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″ORA″ sh.a., me NIPT K71505003O, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi dhe të masës 40% të kuotave në emër të shtetases Mimoza Ndroqi.

25. Sekuestrimin e kuotave dhe aksioneve të shoqërisë ″REN-DON″ sh.p.k., me NIPT L41622002A, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.

26. Sekuestrimin e masës prej 50% të kuatave dhe aksioneve të shoqërisë ″ALBANIA BAY MARINE″ sh.p.k., me NIPT L61307081M, me aksioner shoqërinë ″YLDON″, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi.

SPAK thotë se “për administrimin dhe përdorimin e pasurive të mësipërme gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Shoqëritë që kanë aktivitet, përfshirë dhe mediat televizive, do vazhdojnë aktivitetin e tyre, por të administruara nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë