Rend dhe Ligj

Gjyqtari i vettingut merret i pandehur, Daci dëshmon në SPAK

SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur anëtarin e Kolegjit të Posaccëm të Apelimit, Luan Daci, pavarësisht se ky i fundit e fitoi një betejë me Strukturën e Posaccme Antikorurpsion, kur Gjykata e Posaccme e Apelit hoqi pezullimin dhe e riktheu e në detyrë.

Daci akuzohet për falsifikim dokumentacioni pasi ka fshehur një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në vitin 1997 e ka shkarkuar nga detyra.

Daci u paraqit personalisht këtë të enjte në zyrat e SPAK për të dëshmuar para prokurorëve dhe do të duhet të provojë para Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion se nuk ka falsifikuar dokumentacionet për të plotësuar kriteret gjatë garës për emërimin si anëtar i KPA-së, që është edhe shkalla e dytë dhe e vendimtare e procesit të vettingut.

“Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë proçedim penal është provuar se shtetasi Luan Daci, me funksion Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në aplikimin e kryer prej tij në datën 03.02.2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore ″largim nga puna”, thotë SPAK.

Gjyqtari Luan Daci në vitet 1994-1997 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. SPAK thotë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas propozimit të Ministrit të Drejtësisë, në dhjetor të 1997-ës ka vendosur, që ai të largohet nga detyra e gjyqtarit për “shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë″.

Nëse Daci do të deklaronte këtë gjatë dorëzimit të dosjes për emërim në KPA, ligji i vettingut parashikonte përjashtimin automatikisht nga gara. Për këtë arsye, SPAK e ka marrë të pandehur penal. “Në rrethanat e mësipërme, shtetasi Luan Daci është marrë në përgjegjësi penale nga Prokuroria e Posaçme për kryerjen e veprës penale ″Falsifikimi i dokumenteve”, njofton SPAK.

Luan Daci vendosi për shkarkimin e Antoneta Sevdarit

Dyshimet mbi falsifikimin e dokumentacionit nga ana e Luan Dacit u hodhën për herë të parë nga ish-prokurorja e Krimeve të Rënda, Antoneta Sevdari, pasi kjo e fundit u shkarkua nga KPA për mosjustifikim të pasurisë.

Sevdari, që më parë kishte kaluar pa probleme të mëdha në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në fund të shkurtit 2019-të. Pjesë e trupës vlerësuese për emrin e saj ishte Luan Daci, si kryesues, Sokol Çomo si relator dhe anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama e Rezarta Schuetz.

Sevdari publikoi një dokument, të cilin tha se e kishte siguruar nga arkiva e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas këtij dokumenti, Luan Daci ishte shkarkuar nga detyra e gjyqtarit nga ky institucion, ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje për t’u bërë pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kishte deklaruar se kishte dhënë dorëheqjen.

Veç Luan Dacit, Sevdari akuzoi edhe anëtarin tjetër të KPA, Ardian Hajdari, që sipas ish-prokurores nuk plotëson kriterin e mesatares. Sevdari deklaronte se Hajdari kishte përfunduar studimet me mesatare 6.44. Ajo dorëzoi tek Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dosjet për të dy këta emra në maj të 2019 dhe kërkoi fillimin e procedimit disiplinor për ta dhe përfundimin e mandateve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë