Parlamenti ka hyrë në javën e fundit për këtë sesion dhe në kalendarin e punimeve të miratuara nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve në rend të ditës janë një sërë çështjes, që mund të përcaktojnë se në çfarë niveli do të jetë tensioni politik në shtator.
Java e ngjeshur e seancave dhe diskutimeve fillon këtë të enjte me seancë plenare ku pritet që të miratohet marrëveshja e 5 qershorit, e arritur në Këshillin Politik mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare.
PS thotë se do t’i qëndrojë zotimit për ta votuar këtë pakt pa asnjë ndryshim. Por, për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor sipas kësaj marrëveshjeje duhen edhe votat e opozitës parlamentare. Kjo e fundit kushtëzoi votën pro me ndryshimet kushtetuese që hapin listat e kandidatëve dhe që praktikisht bëjnë të pamundur koalicionet në formën aktuale.
Kërkesa e opozitës parlamentare është mbështetur nga socialistët dhe gjatë javës Kryeministri Edi Rama nënshkroi me ta një tjetër marrëveshje, ku zotohet se do të votojë në seancën e 30 korrikut këto ndryshime kushtetuese.
PD dhe aleatët akuzojnë se marrëveshja është një “marrëveshje e Edi Ramës me vetveten”, pas të cilës qëndron synimi për të ndaluar koalicionet parazgjedhore. Opozita e Bashkuar e interpreton këtë si frikë e Kryeministrit nga vota e shqiptarëve.
Gjithashtu, brenda 30 qershorit do të diskutohet edhe raporti i Komisionit Hetimor të ngritur për hetimin e veprimtarisë së Presidentit Ilir Meta. Diskutimi i këtij raporti pritet që të kryhet në një seancë të posaçme, që do të mbahet më 27, ose 28 korrik. Raporti i socialistëve nuk do të kërkojë shkarkimin e Metës, por vetëm i “tërheq vëmendjen për shkeljet Kushtetuese” me vendimin për të anuluar 30 qershorin dhe përplasjen për radhën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Këtij qëndrimi të mazhorancës i bashkangjitet në raport si mendim pakice qëndrimi i opozitës parlamentare, që kërkon shkarkimin e Presidentit.
Miratimi i raportit përfundimtar në Komision nuk kaloi pa përplasje edhe mes vetë socialistëve. Deputeti Bashkim Fino kërkoi që në raport ose të kërkohej shkarkimi, ose t’i kërkohej falje Presidentit. Ai tha se rrugë të mesme nuk mund të ketë në këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje