Shendet

Mosha sa ndjeheni do të thotë më shumë sesa mosha juaj aktuale

Shumica e njerëzve ndjehen më të rinj apo më të vjetër se sa janë në të vërtetë dhe kjo ‘moshë subjektive’ ka një efekt të madh në shëndetin e tyre fizik dhe mendor.
Imagjinoni për një moment sikur nuk keni certifikatë lindjeje dhe mosha juaj të bazohej thjesht në mënyrën se si ndiheni brenda. Sa vjeç do të thonit se jeni?
Numri i viteve që kanë kaluar që kur keni ardhur në jetë është një fakt i pandryshueshëm.
“Përvoja tregon që ne shpesh nuk e përjetojmë plakjen në të njëjtën mënyrë, me shumë njerëz që ndjehen më të moshuar ose më të rinj seç janë.” thotë Brian Nosek profesor në Universitetin e Virxhinias.

Studime të ndryshme madje kanë treguar që mosha juaj subjektive gjithashtu jep rezultate të ndryshme shëndetësore, përfshirë rrezikun tuaj për vdekje. Në disa mënyra ju me të vërtetë jeni ‘aq i vjetër sa ndiheni’ dhe kjo ndjenjë mund t’ju shkaktojë problemet shëndetësore që zakonisht i kanë të moshuarit.
Duke pasur parasysh këto rezultate, shumë studiues tani janë duke u përpjekur të nxjerrin faktorë biologjikë, psikologjikë dhe socialë që formojnë përvojën individuale të plakjes.
Ky kuptim i ri i procesit të plakjes ka dekada që studiohet.

Në studim diskutohej fakti mënyra se si bashkëvepron mosha subjektive me personalitetin tonë. Të dhënat tregojnë se njerëzit kanë tendencë të zbuten ndërsa plaken, duke u bërë më pak ekstrovertë dhe më pak të hapur për përvojat e reja, ndryshimet e personalitetit të cilat janë më pak të theksuara tek njerëzit që janë më të rinj në zemër dhe theksohen te njerëzit me moshë më të vjetër subjektive.

Sidoqoftë, interesante është se njerëzit me moshë të re gjithashtu u bënë më të ndërgjegjshëm dhe më pak neurotik, ndryshime pozitive që vijnë me plakjen normale. Kështu që ata ende duket se fitojnë mençurinë që vjen me përvojë më të madhe jetësore. Por, të ndjehesh më i ri se vitet tuaja gjithashtu duket se vjen me një rrezik më të ulët depresioni dhe mirëqenie mendore më të madhe ndërsa ne plakemi ç’ka do të thotë gjithashtu një shëndet më i mirë fizik dhe më pak shanse që të shtroheni në spital për sëmundje.

Yannick Stephan në Universitetin e Montpellier ekzaminoi të dhënat nga tre studime të cilat së bashku gjurmuan më shumë se 17,000 pjesëmarrës të moshës mesatare dhe të moshuar.

Shumica e njerëzve ndjeheshin rreth tetë vjet më të rinj se mosha e tyre aktuale kronologjike. Por disa mendonin se ishin plakur dhe pasojat ishin serioze. Të ndjehesh 8 deri 13 vjet më i vjetër se mosha juaj aktuale rezultoi në një rrezik prej 18-25% më të madh të vdekjes dhe një numër më të madh sëmundjesh.
Ka shumë arsye pse mosha subjektive na tregon aq shumë për shëndetin tonë. Mund të jetë një rezultat i drejtpërdrejtë i atyre ndryshimeve të personalitetit me një moshë më të vogël subjektive që do të thotë që ju shijoni një gamë më të madhe aktivitetesh (të tilla si udhëtimi ose të mësuarit e një hobi të ri) ndërsa plakeni.
“Studimet kanë gjetur, për shembull, se mosha subjektive është parashikuese e modeleve të aktivitetit fizik,” thotë Stephan.
Por mekanizmi që lidh mirëqenien fizike dhe mendore me moshën subjektive pothuajse me siguri vepron në të dy drejtimet. Nëse ndiheni të dëshpëruar, të harruar dhe të dobët, ka të ngjarë të ndiheni më të moshuar. Rezultati mund të jetë një cikël i mbrapshtë, me faktorë psikologjikë dhe fiziologjikë që të dy kontribuojnë në një moshë më të lartë subjektive dhe shëndet më të keq, gjë që na bën të ndjehemi edhe më të vjetër dhe të dobët.
Analiza e Stephan, e cila tani është botuar në revistën “Mjekësia Psikosomatike” në Nju Jork, është studimi më i madh i efektit të moshës subjektive mbi vdekshmërinë deri më sot. Këto studime dhe përfundime kërkojnë vëmendje të madhe pasi sipas Stephan “janë më të rëndësishme se kontributi i epokës kronologjike”

E thënë ndryshe, mosha juaj subjektive mund të parashikojë më mirë shëndetin tuaj sesa data në certifikatën tuaj të lindjes.

Duke pasur parasysh këtë, shumë shkencëtarë po përpiqen të identifikojnë faktorët social dhe psikologjik që mund të formësojnë këtë proces kompleks. Kur do të fillojmë të ndiejmë që mendjet dhe trupat tanë funksionojnë në periudha kohore të ndryshme dhe pse ndodh?
Disa psikologë kanë thënë se një moshë më e ulët subjektive është një formë e vetëmbrojtjes, duke na mbrojtur nga stereotipet e moshës negative siç shihet në një studim nga Anna Kornadt në universitetin Bielefeld në Gjermani.

Kornadt thotë se mosha subjektive e njerëzve mund të jetë një gjë e shumëanshme që ndryshon në fusha të ndryshme. Mund të ndjeheni ndryshe kur mendoni për veten tuaj në punë në krahasim me kur mendoni për marrëdhëniet tuaja shoqërore, për shembull dhe kështu Kornadt u kërkoi pjesëmarrësve të thonin nëse ata ndjeheshin më të rinj apo më të vjetër se sa ishin në fusha të ndryshme të jetës.
Ajo zbuloi se moshat subjektive të njerëzve ishin më të ulta kur stereotipet negative të moshës janë më të përhapura siç janë puna, shëndeti dhe financat. Kornadt gjithashtu zbuloi se njerëzit me një moshë më të ulët subjektive kanë tendencë ta imagjinojnë veten e tyre të ardhshme në një mendim më pozitiv.

Pavarësisht nga këto përparime, shkencëtarët po kapen vetëm me pasojat e tyre të mundshme, megjithëse është e mundur që ndërhyrjet në të ardhmen mund të përpiqen të zvogëlojnë moshën subjektive të pjesëmarrësve dhe të përmirësojnë shëndetin e tyre si rezultat. Në një nga disa studime ekzistuese, pjesëmarrësit e moshuar në një regjim fitnesi kishin performancë më të mirë nëse eksperimentuesit vlerësonin performancën e tyre në lidhje me njerëzit e tjerë të moshës së tyre dhe për këtë, Stephan mendon se mjekët duhet të pyesin të gjithë pacientët e tyre për moshën e tyre subjektive për të identifikuar njerëzit që janë më të rrezikuar nga problemet e ardhshme shëndetësore dhe për të planifikuar kujdesin e tyre shëndetësor në mënyrë më efektive.
Ndërkohë, këto gjetje mund të na japin të gjithëve një pamje më të qartë të mënyrës se si truri dhe trupat tanë e bëjnë vetë moshën në kalimin e kohës. Ndoshta është koha të jemi aq sa mendojmë dhe ndjehemi.
Burimi:BBC/ Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë