Në rrugicat e ngushta të Tiranës të mbushura plot e përplot me njerëz, është e pamundur që të mos të zënë sytë njerëz që blejnë nga shitës ambulantë. Shumë pak i pyesin për çmimet pasi ajo që duan të dinë të gjithë është a janë bio. Shqiptarët, edhe pse jetojnë në një vend shumë pjellor, vuajnë prej vitesh nga mungesa e produkteve bio, pasi shumica e tyre shkojnë për eksport kryesisht në vendet e Europës. Megjithatë këtë mungesë duket se kanë vendosur ta mbushin shitësit ambulantë për të cilët të gjithë jemi të bindur se kanë produkte bio me çmim më të ulët. Por a është gjithnjë kështu?
Nëna Feride bashkë me gratë e tjera që shisnin në cep të një pallati në rrugën Fortuzi në Tiranë treguan për gazetën “Si” se vijnë çdo ditë nga fshatrat përreth kryeqytetit për të shitur produktet e tyre të cilat i kanë rritur në fushë por kanë problem çmimin. “njerëzit vijnë këtu për të blerë dhe presin të jenë lirë sepse ne i shesim në rrugë”, i thotë ajo Gazetës “Si”

Drita që po blinte perime tha që zgjedh të blejë në rrugë sepse tashmë i është kthyer në zakon. “Kam gjithë jetën që blej këtu, e njoh zonjën dhe i besoj” tregon ajo
Një tjetër grua tha se janë çmimet ato që e shtyjnë më shumë të blejë aty. Ka bërë një eksperiment të vogël. Ka blerë perime në supermarket dhe te një grua që shet në rrugë. Çmimi i produkteve ka qenë i ndryshëm njësoj siç ka qenë dhe shija.
“Ato që mora në supermarket ishin thjesht pa shije dhe pse kushtonin më shumë. E kundërta ndodhi me perimet që mora tek gruaja poshtë shtëpisë. Janë më lirë dhe kanë shijen që duhet të kenë ose të paktën me atë shije jemi mësuar ne ti hamë.” tregoi ajo
Nëna Feride na tregon se ka disa gra që janë klientë të sajat që kur ajo ka dalë të shesë. E dinë në çfarë ore vjen dhe janë të parat që ‘zgjedhin’ produktet sepse “ku ka si diçka bio që e dinë se është këputur herët në mëngjes dhe është i freskët”

Një nga gratë që shiste me nënë Feride i tha Gazetës se niset me shumë produkte nga shtëpia por ka njerëz që kanë folur me të dhe ajo ju çon produktet në shtëpi para se të shkojë në këndin e saj të punës.
“Ka të bëjë me psikologjinë dhe kulturën tonë” kështu e nis fjalinë Kamela, një vajzë që kurrë nuk i ka blerë perimet dhe frutat në vend tjetër përveç se tek Nazmiu, ai burri që shet në lagjen e saj. Ajo thotë se ne priremi të besojmë se produktet që prodhohen në fshat dhe shiten po nga fshatarët janë padyshim bio.
“Mami im e ka këtë ide dhe ma ka dhënë dhe mua. Prandaj mendoj se ne besojmë gjëra që na janë ngulitur në kokë e nuk shohim më larg apo të analizojmë më shumë gjithë gjënë. Thjeshtë kemi mendimin se janë bio dhe janë më lirë. Nuk pyesim, madje është turp të pyesim shitësit “a janë bio?” sepse në mendjen tonë jemi të bindur se nuk ka si të jetë ndryshe.” tregon Kamela

Shitjet në rrugë kanë shumë vite që praktikohen dhe aq sa biseduam me shitësit ka blerës, janë të kënaqur dhe arrijnë të dërgojnë para në shtëpi pavarësisht çdo vështirësie.
Por a ka produkte bio ?
Duku iu përgjigjur kësaj pyetje Ministria e Bujqësisë i thotë Gazetës “Si” se “Bujqësia organike në Shqipëri dominohet nga bimët e egra aromatike dhe medicinale (BAM), 633,465 ha, frutat e pyllit (11,577 ha), gështenjat (3,250 ha), me një total prej 648,292.39 ha në vitin 2019”, shprehet zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë Alket Braho.

Sipas tij, sipërfaqja e kultivuar mbetet shumë e vogël (623 ha) në 2019, pasi në Shqipëri mbillen kryesisht bimë aromatike, erëza si dhe perime, fruta (mollë, dardhë), ullinj (vaj ulliri).
Ministria i thotë Gazetës “Si” se në vendin tonë ka 86 prodhues nga të cilët 52 prodhues dhe përpunues, 61 përpunues dhe 25 eksportues.
“Prodhimi organik është i orientuar drejt eksportit të BAM, vaj ulliri, etj, ndërsa mungon një treg i brendshëm i produkteve organike të prodhuara në vend, ku dominojnë supermarketet që ofrojnë produkte organike të importuara.” thotë Braho.
Por si kryhet procesi i verifikimit te produkteve?
“Ligji për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre përcakton se prodhuesit duhet të inspektohen nga privati.” Por ndërkohë thotë Braho “ Trupat e Kontrollit të cilat janë përgjegjëse për inspektimin dhe certifikimin e produkteve biologjike zgjidhen nga Komisioni për Prodhimin Biologjik, në MBZHR.
“Albinspekt është trupa e kontrollit kombëtare, e miratuar e cila inspekton dhe certifikon mbi 95 % të operatorëve organik në Shqipëri.” thotë Braho
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



