Tre pacientë kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në Kosovë, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka edhe 205 të infektuar të tjerë. Numri i rasteve me koronavirus është rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, duke e çuar totalin në mbi 4 mijë e 500 të prekur dhe 97 jetë të humbura.
Përkeqësimi i shifrave shtyu qeverinë të paralajmëronte mundësinë e vendosjes së masave më të rrepta për luftimin e pandemisë. “Meqenëse gjatë ditëve të fundit numri i të infektuarve është shtuar ndjeshëm, madje edhe me pasoja të rënda në jetë njerëzish, nuk mund të përjashtojmë marrjen e masave më të rrepta të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve”, thuhej në një komunikatë të qeverisë.
Gjatë një prononcimi mbrëmjen e së premtes, kryeministri Avdullah Hoti tha se vendi po shkon drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Ai paralajmëroi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të dielën për të diskutuar një mundësi të tillë.
Që nga 1 korriku, në Kosovë janë regjistruar 46 vdekje si pasojë e koronavirusit, disa prej të cilave po hetohen nga organet e rendit. COVID-19 ka infektuar edhe një numër deputetësh, e gjithashtu kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




