3 vdekje janë regjistruar në 24 orët e fundit, mes tyre edhe mjeku 69-vjeçar Hysni Shkjau nga Puka i cili prej ditësh vuante nga Covid-19. Shkjau është mjeku i dytë që ndërron jetë nga virusi në vendin tonë. Ai kishte 40 vite eksperiencë në shëndetësi dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.
Ndërsa 2 viktimat e tjerë ishin përkatësisht në moshat 65 vjeç dhe 63 vjeç nga Tirana. Eugena Tomini nga ISHP ka bërë me dije se vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht janë 78 pacientë në spital, prej të cilëve 9 në gjendje serioze në terapinë intensive, 2 prej tyre të intubuar në gjendje të rënde. Që nga fillimi i epidemisë e deri më tani autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se numri i personave të vdekur ka arritur në 79.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 459 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 71 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Elbasan, 6 në Durrës, nga 5 raste në Krujë, Kukës, Lezhë, 4 në Kurbin, 3 në Vlorë, nga 2 raste në Korçë, Shkodër, Përmet, dhe nga 1 rast në Delvinë, Vau Dejës, Bulqizë, Kamëz, Fier. Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1702 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1183 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë institucioneve, subjekteve dhe gjithë popullatës të ndjekin rekomandimet e autoriteteve shëndetësore duke respektuar distancimin fizik në 1.5 metër dhe nëse nuk respektohet distanca përdorimi i maskës është i detyrueshëm. Gjithashtu përdorni maskën në të gjitha ambientet e mbyllura, respektoni etiketën respiratore duke u kollitur dhe teshtirë në këndin e bërrylit,” u shpreh Tomini.
Më tej ekspertja e ISHP deklaroi se të gjithë duhet të ruajmë higjienën personale dhe të jemi të vëmendshëm ndaj simptomave. Tomini theksi edhe një herë që qytetarët duhet të lajmërojnë urgjencën kombëtare në numrin 127, nëse kanë shenja të sëmundjes dhe nëse kanë nevojë për informacion numrin e gjelbër 0800 40 40.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 453
Durrës 213
Shkodër 168
Vlorë 116
Lezhë 64
Fier 48
Korçë 31
Kukës 25
Elbasan 24
Berat 16
Gjirokastër 15
Dibër 10
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




