Presidenti i Republikës, Ilir Meta, foli për dy çështje debat i ditës; Gjykata Kushtetuese ( që u trajtua përmes një editoriali edhe nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim) dhe aktakuza në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për krime lufte.
Për të dyja çështjet, Meta foli shkoqur. Madje edhe me ndonjë qëndrim ironik ndaj Edi Ramës për rastin “Thaçi-Veseli”
Për Gjykatën Kushtetuese, Meta tha se do të fillojë takimet nga dita e hënë.
“I palodhur në kërkim të bashkëpunimit për zbatimin e reformës në drejtësi, do vijoj të jem edhe pas raportit përfundimtar të Venecias.
I jam drejtuar me një shkresë zyrtare kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi për një takim sa më parë të ketë mundësi duke nisur nga e hëna që vjen...”, tha Meta.
Pse të hënën dhe jo që kësaj jave?
“Sepse sot (e premte) kemi përfundimisht të përkthyer në shqip në mënyrë të certifikuar e zyrtare raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias”, nënvizoi ai.
Meta theksoi disa herë se përgjegjës për vonesat e konstituimit të Gjykatës Kushtetuese ka qenë KED dhe jo ai.
Presidenti i Republikës foli edhe për aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit, duke i dhënë një përgjigje direkte edhe tezës se hedhur nga Behgjet Pacolli e mbështetur më pas nga Edi Rama për mundësinë e zhvillimit të një tryeze mbarëshqiptare për rastin në fjalë.
“Nuk është koha për protagonizma së pari. Së dyti Kosova është një shtet i pavarur. Ajo ka institucionet e saj dhe ka treguar se në momente dhe kriza të vështira ajo i zgjidh edhe më mirë se ne, kështu që kam qenë dhe jam gjithnjë i hapur për tu takuar me udhëheqësit e Kosovës por jam i bindur që në momente sfidash, ata e rrisin përgjegjësinë e tyre, ata fitojnë urtësinë që duhet, realizojnë unitetin dhe bashkojnë vizionet në një interes të përbashkët...”, tha Meta përmes një konference për shtyp.
Presidenti i Republikës njoftoi se ka pasur e do të ketë komunikim të vazhdueshëm me Thaçin dhe Veselin.
“Jam i bindur se ata kanë të gjithë qetësinë dhe përgjegjësinë për të përballuar me dinjitet këtë sfide në interes të unitetit të popullit të Kosovës dhe sidomos Luftës Çlirimtare...”
Ndryshe nga fjala e Ramës në Kuvend, Meta pasqyroi tjetër qasje ndaj ndërkombëtarëve për rastin e Thaçit dhe Veselit.
Presidenti i Republikës sqaroi se nuk është momenti për të ushqyer mosbesim ndaj aleatëve perëndimorë, por për unitet dhe urtësi.
“S’është momenti gjithashtu të merremi me drejtësinë ndërkombëtare aq më tepër sa po flisnim për raportin e Venecias që tregon se nuk kemi shkëlqyer në drejtësinë kombëtare e të merremi me atë ndërkombëtare...”, vijoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.