Politike

Aktakuza e Hagës, Haradinaj, Mustafa dhe Kurti: Lufta e UÇK ishte e pastër

Gjykata e Hagës ka akuzuar për krime lufte presidentin, Hashim Thaçi dhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli me pretendimin se ata dyshohen si përgjegjës për vrasjen e 100 personave.

Pas njoftimit zyrtar, klasa politike e Kosovës po del më një qëndrim të përbashkët se Thaçi dhe Veseli janë të pafajshëm.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe do të konfirmohet sërish si e drejtë dhe e pastër.

Në një postim të shkurtër në Facebook, Mustafa shkruan se luftëtarët e UÇK-së luftuan për të mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb.

“Besoj thellë se lufta e UÇK-së Ishte dhe do të konfirmohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe pastër, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb”.

Më herët reagoi edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

“Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës.

Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Thaçi, kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftetarëve të tjerë”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Ka reaguar edhe Albin Kurti.  

“E di që lufta çlirimtare është luftë e drejt është luftë kundër një agresori dhe okupatori i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë, veteranët e invalidët e UCK edhe politikisht edhe historikisht janë në të drejtën e tyre dhe tonën. Nuk do mend se kjo ngritje e aktakuzës dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe një takim i tillë nuk mund të ishte në rrethanat e tyre”, tha Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë