Ajri po ndotet, qetësia po na shkatërrohet dhe jeta jonë është bërë e zhurmshme. Epo shpesh i diskutojmë në kafe këto probleme që kanë lidhje me mjedisin ku jetojmë, por asnjërit prej nesh nuk i shkon ndërmend të kërkojë ndihmë. Një i ri e ka ndarë mendjen se çështja e mjedisit është një histori policie që duhet ndjekur, ndaj dhe e ka mbyllur kapitullin e ankesave në lagje. Sipas një burimi të gazetës “Si”, Endri Mëhilli ka denoncuar në polici ndërtimet që po kryhen pareshtur në lagjen e tij, ndonëse aty jetojnë njerëz që iu është trazuar përditshmëria.
“Denoncoj firmën e ndërtimit dhe me emër F. B që drejton këtë kompani, pasi po ndotin ajri”, u shpreh i riu në polici.
Kallëzuesi rrëfen se prej dy muajsh gjatë pandemisë, ka nisur ndërtimi i një sërë pallatesh, por ai nuk ka asgjë kundër investimeve. Shqetësimi i Mëhillit janë zhurmat dhe ajri. “Aty punohet me mjete të tonazhit të lartë si betoniere, vinça, fadroma dhe mjete që transportojnë materiale ndërtimi. Jeta e banorëve është bërë e vështirë për shkak të zhurmave që krijojnë makineritë. Ata punojnë edhe natën, ndërkohë që ajri është ndotur në përmasa të mëdha”, tregon banori në komisariatin numër 2.
I riu ankohet më tej edhe për policinë bashkiake, duke paralajmëruar policinë e rendit që minimalisht të bëjë detyrën. Kur zhurmat ishin të pandalshme ditë e natë, banori ka hedhur hapin e parë. “Telefonuam policinë bashkiake, ata na e prenë shkurt. Janë me leje ndërtimi”. Ndërkohë siç rezulton, sipas burimeve të gazetës “Si”, oficeri i policisë ka nisur të marrë në pyetje të gjithë banorët e lagjes ku po ndërtohet. N.Gj deklaron “para dy muajve projekti fillestar në këtë kompleks ishte me tra të rregullt dhe roje. Ata i hoqën traun, rojet dhe në hapësirat e gjelbërta bënë rrugë”.
Ne thërritëm administratorin e firmës ndërtuese tregon në procesverbal oficeri i policisë. “Kam leje ndërtimi, do ngre dy pallate dhe një kopsht që do ia dhuroj bashkisë”, i ka prerë shkurt shpjegimet i denoncuari.
Zhurmat
Policia e Rendit shpjegon për gazetën “Si” se ankesat e banorëve të kësaj lagjeje për zhurmë janë më të paktat. Teksa pothuajse në kryeqytet po ndërtohet, Sh.P iu drejtua policisë i frikësuar. “Po jetoj me frikën se pallati do bjerë. Toka dridhet. Ata po hapin gropë ngjitur me pallatin tonë. Është e frikshme”, tha 63-vjeçari, kërkesa e të cilit në fund u mbyll dhe u pushua. Banori i Tiranës pretendoi se “askush nuk pyet për prishjen e qetësisë, nipi im qan nga zhurmat që krijojnë makinat e rënda”.
Ndonëse policia dyshon se më së shumti qytetarët kanë të drejtë sa u takon zhurmave dhe ndotjes, askush nuk u jep atyre të drejtë. “Çështjet me ndërtimet janë përherë histori që mbyllen, pasi ndërtuesit dorëzojnë studime pro versionit të tyre, ku përshkruhet se e kanë ruajtur ambientin dhe qetësinë e banorëve dhe se asnjëri nuk punon gjatë orëve të natës”.
Na zunë rrugën
Por sa të paprekshme janë firmat e ndërtimit, duket edhe në çështje më të forta. E. T nuk gjeti asnjë zgjidhje në polici pas kallëzimit të tij. “Firma na ka zënë rrugën ekzistuese për të shkuar te tokat tona. Ata as që na përfillën”. Denoncuesi jeton pranë Liqenit të Thatë dhe ndërtimi sapo ka nisur, ndërkohë që pasi referoi çështjen në polici, denoncuesi nuk u thërrit më për t’u pyetur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




