Rend dhe Ligj

Vrasja e Hekuran Billës, shtyhet vendimi për Viktor Markun

Shtyhet vendimi për masën e sigurisë për Viktor Markun i akuzuar për vrasje me paramendim të Hekuran Billës.

Ai ka mbajtur një qëndrim mohues, pavarësisht hakmarrjes për shkak të vrasjes së vëllait të tij në Londër nga Hekuran Billa.

Avokati i Viktor Markut, Ilir Marku tha në përfundim të seancës se klienti i tij nuk ka pranuar akuzat e policisë për vrasjen e Hekuran Billës. Sipas avokatit, nga sistemi TIMS rezulton se Marku ndodhej në Mal të Zi që prej muajit janar.

Sipas tij, policia duhet të gjejë autorët e vërtetë.

Viktor Marku akuzohet për gjakmarrje, ai është vëllai i Prel Markut, i cili është vrarë në Angli nga Hekuran Billa.

Sipas sistemit TIMS, Marku rezulton të ketë dalë nga Shqipëria nga pika e Muriqanit për në drejtim të Malit të Zi, më 19 janar 2020, por një dëshmitar thotë se Viktor Marku gjatë këtyre muajve ka qenë në Shkodër, pasi mori me qira në biznesin e tij një makinë ‘smart’.

Po sipas dëshmisë makinën Marku ia ka lënë nipit të tij, Sebastjan Mali, gjithashtu i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasje.

Ndërkohë, në funksion të dosjes hetimore mësohet se janë analizuar pamjet nga 38 kamera sigurie pranë zonës. Organi i akuzës ka dyshime se Viktor Marku shfaqet në një moment në kamera teksa zbret nga makina ‘smart’ marrë me qira dhe ngjitet në automjetin ‘mercedez benz’ i vjedhur në Shkodër që u përdor në atentat. Prokuroria thotë se në makinë është ngjitur dhe një person i dytë.

I arrestuari Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, që u vra nga Hekuran Billa në Angli në tetor të vitit 2006, ngjarje për të cilën Billa u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat britanike, dënim i konvertuar me 25 vite sipas legjislacionit shqiptar.

Hekuran Billa u ekzekutua më 11 qershor, në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë