Ngjarje

129 raste të reja në ditë, Kosova po shkon drejt karantinës

Kosova ka regjistruar numrin më të lartë të rasteve të reja me Covid-19, që prej nisjes së epidemisë në vend. Janë plot 129 persona që kanë rezultuar pozitivë në 385 testime të kryera.

Instituti i Shëndetit Publik në Prishtinë njoftoi se rastet janë që të gjitha kontakte të personave të infektuar më herët, që sipas ekspertëve tregon pakujdesinë në respektimin e masave të sigurisë higjieno-sanitare dhe mbi të gjitha të distancimit fizik.

46 raste janë regjistruar në Prishtinë, në Prizren 18 të tjera, Vushtri 15 dhe më pas me radhë Rahoveci, Peja, Vitia, Gjakova dhe Lipjani, si qytetet më numrin më të lartë.

Vetëm dy javë pas daljes nga izolimi, Kosova ka sinjalizuar ditën e sotme se mund të hyjë sërish në karantinë, nëse numri i rasteve të reja vijon të rritet. Ish-kryeministri Albin Kurti vendosi ti jepte fund masave të izolimit në fillim në 28 maj duke hequr fashat e orarit dhe hapur të gjitha bizneset.

Kosova doli prej lehtësia masat pak më shumë se dy javë më parë, ndërkohë që Qeveria e re e Avdullah Hotit lehtësoi edhe kufizimet lokale të vendosura nga qeveria e Albin Kurtit për të izoluar vatrat e infeksionit në vend.

Prej ditësh, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik raporton shtim të rasteve të reja, aq sa kreu i këtij institucioni, Naser Ramadani paralajmëroi se me trendin e këtyre shifrave rivendosja e karantinës mund të jetë e pashmangshme.

“Nëse e shohim se rritja e të infektuarve vazhdon me këto ritme do të duhet të rikthejmë masat izoluese”, deklaroi Ramadani pak ditë më parë.

Edhe Presidenti Hashim Thaçi ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, duke thënë se rreziku nga pandemia ende nuk ka kaluar. Ai paralajmëroi po ashtu mundësinë e rikthimit të karantinës, pavarësisht kostove ekonomike.

“Nëse do të ketë përkeqësim të situatës dhe rritjeve të rasteve, atëherë institucionet e Kosovës do të detyrohen të kthejnë masat e izolimit për të parandaluar përhapjen e COVID-19, edhe pse kjo do të preke rëndë rimëkëmbjen e ekonomisë dhe mund të dëmtojnë shëndetin tonë mendor”, është shprehur ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë