Ngjarje

Londra, Parisi në kaos. Në gjithë botën protesta anti-raciste (foto, video)

Londra është shndërruar në kryeqendrën e protestave “Black Lives Matter”, që fillimisht shpërthyen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas vdekjes së George Floyd në duart e një polici amerikan.

Në kryeqytetin anglez, lëvizja po përdoret për të shënjestruar monumentet, bustet e statujat e shumta që lidhen me të shkuarën kolonialiste të Mbretërisë së Bashkuar. Një pjesë e protestuesve kanë bërë thirrje përmes rrjeteve sociale që t’i shkatërrojnë këto monumente.

Në një pjesë të tyre ja kanë dalë mbanë, duke hedhur në tokë monumente të udhëheqësve britanikë të epokës koloniale dhe mbështetës të skllavërisë. Por, beteja prej dy ditësh është përqëndruar në sheshin “Trafalgar”, aty ku ndodhet edhe statuja e Winston Churchill.

Disa ditë më parë, monumenti i Kryeministrit që udhëhoqi Britaninë e Madhe në mposhtjen e nazizmit u vandalizua nga një shkrim “Churchill ishte racist!”. Ky shkrim nuk është krejt i pabazuar. Churchill është autor i disa dhënieve kontradiktore dhe me bazë raciste. Ai ka deklaruar se i urrente njerëzit me “sytë e tërhequr”, duke iu referuar aziatikëve dhe indianët i cilësonte si “kafshë menjëherë pas gjermanëve”. Po ashtu, Churchill e ka pranuar se “nuk mendonte se njerëzit me ngjyrë mund të kishin aftësi, efikasitet dhe zgjuarsi të njëjtë me njerëzit e bardhë”.

Një protestues i “Black Lives Matter” pranë monumentit të Winston Churchill, ku është shkruar “Ishte racist”. Gazeta Si, qershor 2020

Paralajmërimi i protestuesve të “Black Lives Matter” se mund t’i drejtohen edhe monumentit të Winston Churchill aktivizoi grupet e djathta, përfshirë edhe ato të ekstremit të djathtë që të dalin në kundërprotestë për të mbrojtur këtë monument, megjithëse më herët autoritetet e kishin izoluar në një kuti metalike gjigante.

Mes dy grupeve të protestuesve u vendosën forcat e policisë në mes, megjithëse përplasjet nuk u shmangët dot. Autoritetet britanike njoftojnë se të paktën 6 persona, që të gjithë qytetarë kanë mbetur të lënduar nga plagët e marra dhe janë shoqëruar në spital për mjekim.

Situata e pazakontë ka shkaktuar reagimin e politikanëve. Kryeministri Boris Johnson ka deklaruar se racizmi nuk ka vend në Britaninë e Madhe. Qeveria e drejtuar prej tij ka nënkuptuar se nuk ka ndërmend që të largojë nga rrugët dhe sheshet monumentet e figurave historike, sidomos ato të kolonializmit, siç janë kërkesat e protestuesve të “Black Lives Matters” dhe dhunën e protestave e cilëson si të patolerueshme. Ndërkohë, në Parlament është ndërmarrë një nismë për të ashpërsuar ligjet dhe dënuar deri me dhjetë vite burg personat që vandalizojnë monumentet e figurave historike.

Bota përfshihet nga protesta “BLM”

Në Europën kontinentale epiqendra e protestave është Parisi. Mijëra protestues dolën në rrugë e sheshe për të kërkuar drejtësi jo vetëm për vdekjen e George Floyd në SHBA, por edhe të viktimave me origjinë afrikane që kanë vdekur në duart e policisë franceze.

Edhe këtu nuk munguan përplasjet, megjithëse jo në përmasat e regjistruar në Londër. Protestës iu kundërvunë grupet ekstremiste të djathta, me sloganin “Kundër racizmit të bardhë”.

Protesta pati edhe në Melburn, Tokio, Pragë, Bernë, Aukland dhe në qytete të tjera botërore.

Ndërkohë, për herë të parë një përfaqësues i Presidentit amerikan, Donald Trump ka dalë në mbështetje të protestës “Black Lives Matter”. Në Ambasadën e SHBA në Seul, kryeqytetin e Koresë së Jugut u valvit me shkronja të mëdha ky slogan, një gjest që bie ndesh me deklaratat e Presidentit Donald Trump, që i ka cilësuar protestat si të nxitura nga grupet anarkiste të majta dhe ka kërcënuar me shpalljen organizatë terroriste të “Antifas”.

“Black Lives Matter” e shpalosur nga Ambasada e SHBA në Seul, Korenë e Jugut.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë