Konfindustria i bën thirrje qeverisë dhe parlamentit ta heqë sa më shpejt gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe të as të mos e mendojë një rikthim të masave, përkundër do të shkatërronte totalisht ekonominë pa shpresë rimëkëmbjeje.
Konfindustria vlerëson se fatura financiare e pandemisë ka shkuar gati në 3 mld $ në tre muaj mars-maj.
“Fatura financiare e deritashme, që ekonomia shqiptare është e detyruar të paguajë si pasojë e masave kundër Covid 19, është tepër e rëndë. Sipas analizave të Konfindustrisë, vetëm në muajt mars dhe prill të vitit në vazhdim, dëmet ekonomisë reale përllogariten në mbi 2 miliard $. Fatura financiare e dëmeve është shtuar ndjeshëm me disa qindra milionë $ edhe në muajin maj 2020”, thotë Konfindustria.
Prandaj sipas saj, pasojat e një rikthimi të mundshëm, qoftë edhe pjesor, të kufizimeve në kuadër të masave kundër Covid 19 do të ishin shkatërrimtare për ekonominë kombëtareduke kërkuar “nga Kuvendi i Shqipërisë, dhënien fund të gjëndjes së jashtëzakonshme në fuqi deri në 23 qershor 2020, pothuaj 4 muaj nga fillimi i krizës së pandemisë. Shqipëria duhet të ndjeki pa kthim pas modelet e hapjes së ekonomisë dhe lëvizjes së qytetarëve të zbatuara nga gjithë vendet e Rajonit dhe BE.”
Shoqata e biznesit është e shqetësuar, se pikërisht përafrimi i përfundimit në 23 qershor 2020 të afatit të dytë kohor të gjëndjes së jashtëzakonshme për shkak të Covid 19, po përkon me shtim të raportimit të të prekurve nga institucionet shëndetësore. Njëkohësisht, thotë ajo, nuk kanë munguar në vazhdimësi zëra të rëndësishëm nga vendimmarrja politike që dëshirojnë për rikthim të masave kufizuese të biznesit dhe lëvizjes qytetarëve.
Ajo gjykon, se menaxhimi i krizës shëndetësore nga Shqipëria kundër Covid-19 në tërësi ka qenë jo profesional, me masa dukshëm jopërpjestimore kundrejt rrezikut të ulët shëndetësor, me pasojë prodhimin e faturës së rëndë financiare.
“Një përsëritje e mënyrës së mësipërme të menaxhimit të krizës kundër Covid 19 do të kishte pasoja të pallogaritshme të rënda për ekonominë, biznesin, qytetarët, duke rrezikuar deri në qëndrueshmërinë sociale në vend.”- përfundon Konfindustria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




